2006-06-14 18:04:42

Benedikti XVI është pranë viktimave të dhunës në Tokën Shenjte. Thirrje drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për të ndihmuar popullsinë palestineze


(14.06.06. R.V. )Benedikti XVI është shpirtërisht pranë viktimave të pafajshme të dhunës në Tokën Shenjte. Selia e Shenjtë bën thirrje për rifillimin e dialogut dhe fton bashkësinë ndërkombëtare të kryejë detyrën e ndihmës humanitare ndaj popullsisë palestineze.
Selia e Shenjtë ndjek me shqetësim e dhimbje të thellë episodet e shumta të dhunës së verbër, që gjakosin këto ditë Tokën Shenjte dhe uron të rifillojnë bisedimet ndërmjet izraelitëve e palestinezëve. Kështu shkruhet në një Komunikatë të drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, Joakin Navarro Valls, publikuar sot. Ati i Shenjtë – pohohet në Komunikatë – ndjehet, sidomos me lutje, pranë viktimave të pafajshme, familjarëve të tyre dhe popullsive të kësaj toke, peng në duart e atyre që i rren mendja se mund t’i zgjidhin problemet, gjithnjë më dramatike, me forcë ose në mënyrë të njëanëshme. Selia e Shenjtë – vijon nota – e fton bashkësinë ndërkombëtare t’i përdorë sa më shpejt që të jetë e mundur mjetet e nevojshme dhe bashkohet me të gjithë ata që i nxisin udhëheqësit e të dy popujve të tregojnë, mbi të gjitha, respektin e duhur për jetën njerëzore, posaçërisht për jetën e civilëve të pambrojtur e të fëmijëve e të rifillojnë me guxim rrugën e bisedimeve, e vetmja që mund të sigurojë paqen e drejtë e të qëndrueshme, aq të dëshiruar nga të gjithë.







All the contents on this site are copyrighted ©.