2006-06-13 18:05:57

Lajme shoqërore-politike: 13 qershor


(13/6/2006)Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian mbledhur dje në Luksemburg shqyrtuan pranimin e Turqisë në këtë bashkim. Pas diskutimeve të gjata dhe kundërshtimit të qeverisë greko-qipriote, e cila pretendon që Turqia ta njohë si qeveri të ligjshme, presidenca austriake gjeti një kompromis që i lejon Turqisë hapjen e negociatave me BE-ian por në të njëjtën kohë edhe nënvizon se Ankaraja duhet të njohë qeverinë greke të Qipros dhe të përmbushë të gjitha detyrimet e tjera. Gjithashtu, po dje u hapën bisedimet për anëtarësim të Kroacisë dhe të Malit të Zi.


Presidenti amerikan Xhorxh Bush kreu sot paradite një vizitë të befasishme në Irak ku u takua me kryeministrin Al Maliki. Synimi i vizitës ishte njohja nga afër e presidentit Bush me kryeministrin Al Maliki si edhe inkurajimi i qeverisë së re irakiane në luftën kundër terrorizmit. Kjo është hera e dytë që presidenti amerikan viziton Irakun pas përmbysjes së regjimit të Sadam Hyseinit.


Edhe pse atentatet me bomba kanë rënë ndjeshëm pas vrasjes së terroristit Al Zarkavi, dhuna në Irak nuk ndalet. Gjatë 24 orëve të fundit në Kirkuk u vranë 20 persona. Ditët e fundit grupe të armatosura të Al Kaedës, por edhe të ish-ushtarakëve të Sadam Hyseinit e kanë intensifikuar veprimtarinë e tyre duke e mbajtur të lartë tensionin në vend.


Sot ushtria izraelite kreu një sulm ajror kundër militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës. Objekti ishte një makinë që transportonte raketa palestineze Kasam. Burimet ushtarake izraelite njoftuan se pati 11 të vdekur, ndërmjet të cilëve tre militantë të Hamasit si edhe dy fëmijë. “Ne do t’i përgjigjemi sulmeve të terroristëve me të gjitha forcat dhe mjetet që kemi.”- deklaroi ministri izraelit i mbrojtjes Amir Perec duke komentuar sulmin e fundit.


Komuna me shumicë serbe e Leposaviqit në Kosovë shpalli dje gjendjen e jashtëzakonshme dhe ndërprerjen e çdo bashkëpunimi me autoritetet shqiptare përsa kohë të ekzistojë kërkesa për pavarësi të Kosovës. Kjo është komuna e tretë serbe, pas Zubin Potokut dhe Zveçanit, që merr vendime të tilla.


Kryeministri i Kosovës Agim Çeku u bëri thirrje malazezëve që jetojnë në Kosovë të marrin shembull nga shqiptarët në Mal të Zi, duke njohur së pari realitetin e ri në të cilin jetojnë si edhe të marrin pjesë aktive në proceset e demokratizimit që po kalon Kosova.







All the contents on this site are copyrighted ©.