Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Onufrin, vetmitar
( 12. 06. 06 R. V. )Pafnuci, murg në Egjiptin
e shekullit V, duke dashur të takojë vetmitarët, për ta njohur nga afër jetën e tyre,
për të cilën flitej aq shumë në atë kohë e në atë zonë, u nis drejt shkretëtirës në
kërkim të tyre. Pas 21 ditësh, u ul të pushonte përdhe, i lodhur e i këputur. Papritmas
pa para vetes një figurë njerëzore të tmerrshme, mbuluar prej koke ndër këmbë nga
flokët e gjatë e nga disa gjethe. Kjo mënyrë për të mbuluar trupin ishte e zakonshme
për vetmitarët, të cilët qenë mësuar të rrinin fare vetëm, pa i parë kush tjetër,
veç engjëjve. E prandaj kishin hequr dorë nga veshjet, të cilat shkretëtira i shkatërronte
shpejt. E në sa vijonin atë mënyrë jetese, larg çdo vendi të banuar, nuk e kishin
të lehtë t’ zevendësonin me veshje të tjera. Në fillim Pafnuci u tmerrua e deshi
të ikte me vrap, por figura njerëzore i foli e iu lut të rrinte. Atëherë e kuptoi
se kishte gjetur pikërisht atë që kërkonte: një vetmitar. Si u bënë miq, nisën t’i
tregonin njëri-tjetrit gjithçka. Vetmitari i tregoi Pafnucit se quhej Onufër e se
jetonte që prej 70 vjetësh në shkretëtirë, pa parë kurrë frymë njeriu. Ushqehej me
barishte e pushonte shpellash. Në fillim kishte jetuar në një manastir të Tebaides
në Ermopolis, së bashku me njëqind murgjër të tjerë. Por, duke dëshëruar të ndjekë
shembullin e Shën Gjon Pagëzuesit e të Elisë Profet, kishte lënë manastirin e i ishte
kushtuar jetës oshënare. Si kishte hyrë në zonën e jeremive me pak ushqim në trastë,
ishte takuar në një shpellë me një vetmitar tjetër, të cilit i qe lutur ta mësonte
si ta jetonte këtë jetë kaq të jashtzakonshme. E ai ia kishte plotësuar dëshirën.
E kishte çuar në një oazë, ku kishte ndenjur me të 30 ditë e pastaj e kishte lënë
vetëm, duke u kthyer në shpellën e vet. Një herë në vit i bënte një vizitë për ta
ngushëlluar. Gjatë njërës nga këto vizita, sapo kishte arritur, qe përkulur për ta
përshëndetur e, papritur, qe shtrirë përdhe pa frymë. Ai e pati varrosur në një vend
pranë shpellës ku strehohej. Onufri i tregoi pastaj Pafnucit si i përshtatej ndryshimit
të stinëve e si e ndihmonte një engjull, që i sillte ushqimin e Kungimin Shenjt, mrekulli
të cilën më pas e pa edhe vetmitari i ri. Vijuan kështu bisedat, deri një ditë kur
Onufri e porositi të largohej nga ai vend, të kthehej në Egjipt e të tregonte çka
kishte parë. Si kreu së foluri e bekoi e dha shpirt. Pafnuci e mbuloi me një copë
të mantelit të vet dhe e varrosi në një plasë shkëmbi. Pra se të nisej, një tërmet
e shkatërroi shpellën ku kishte jetuar Onufri, duke treguar se vullneti i Zotit ishte
që në atë vend të mos jetonte më asnjë vertmitar. Atëherë Pafnuci u nis e, në vijim
të jetës së tij si murg, shkroi “Jetën e Shën Onufrit” në të cilën pohon se jeta
vetmitare në shkretëtirë, është më e përkryera për njeriun e se Shën Onufri vdiq më
11 qershor. Sidoqoftë, Kisha e kremton më 12 qershor. Kulti i Shenjtit u përhap në
të gjitha vendet e Azisë së Vogël e të Egjpitit, në sa figura e tij, me flokët e gjatë
e gjethet në vend të petkut, vijon t’i frymëzojë artistët.