2006-06-12 17:33:40

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të të Shenjtnueshmes Trini, Benedikti XVI nënvizoi se Zoti nuk është vetmi e pafund, por bashkim drite e dashurie


( 12. 06. 06 R. V. )RealAudioMP3 Zoti nuk është vetmi e pafund, por “bashkim drite e dashurie”: këtë nënvizoi Benedikti XVI, i cili ia kushtoi Lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, mbajtur si zakonisht në Sheshin e Shën Pjetrit, kuptimit të Solemnitetit të djeshëm të të Shenjtnueshmes Trini. Ndërmjet analogjive të misterit të Njënisë e të Trinisë së TynZot, Papa u ndal në mënyrë të veçantë tek familja e cila, tha Ati i Shenjtë, është e thirrur të jetë bashkësi dashurie e jete. Më pas Papa i ftoi të gjithë besimtarët të marrin pjesë në Proçesionin e Corpus Domini, të enjten e ardhshme. Edhe dje, pa marrë parasysh kohën e keqe, Sheshi i Shën Pjetrit ishte plot me besimtarë, ardhur nga vise të ndryshme të botës për të dëgjuar Atin e Shenjtë.
Në Solemnitetin e të Shenjtnueshmes Trini, Benedikti XVI nënvizoi se besimtarët mund të krijojnë, në se mund të shprehemi kështu, marrëdhënie të ngushta me vetë Zotin, duke zbuluar se ai nuk është vetmi e pafundme, por bashkim drite e dashurie. Është jetë e dhuruar dhe e marrë – shtoi Shenjtëria e Tij – në një dialog të amshuar ndërmjet Atit e Birit, në Shpirtin Shenjt – i Dashuruar, i Dashur e Dashuri, siç shprehet Shën Agostini. Në këtë botë – vijoi Ati i Shenjtë, askush nuk mund ta shohë Zotin, por Ai vetë na ka bërë ta njohim në atë mënyrë, sa së bashku me Shën Gjonin Apostull, mund të pohojmë: “Zoti është dashuri!”:
Kush e takon Krishtin dhe bëhet mik me të, krijon në shpirtin e vet miqësi me vetë Bashkimin e Trinisë, sipas premtimit që Jezusi u pati bërë apostujve: ‘Në se ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta dojë, tek ai do të vijmë e tek ai do të banojmë”.
Atij që beson, mbarë gjithësia i flet për Njëninë dhe Trininë e Hyjit – pohoi Papa. Nga hapësirat ndëryjore e deri tek grimcat më mikroskopike – vijoi reflektimin Ati i Shenjtë – gjithçka që ekziston të shpie drejt një Qenieje që komunikohet në shumllojshmërinë dhe larminë e elementeve, si në një simfoni të pafundme. Është një dinamizëm i harmonishëm – vijoi Papa - që analogjikisht mund ta thërrasim “dashuri”. Megjithëketë – kujtoi Benedikti XVI - vetëm tek njeriu i lirë dhe i arsyeshëm, ky dinamizëm bëhet shpirtëror, bëhet dashuri plot përgjegjësi, si përgjigje që i jepet Hyjit e të afërmit në një dhurim të sinqertë të vetvetes:
Në këtë dashuri qenia njerëzore gjen të vërtetën e lumturinë. Ndërmjet analogjive të ndryshme të misterit të pagabueshëm të Njënisë e Trinisë së Hyjit, që besimtarët janë në gjendje ta parandjejnë, dua të kujtoj atë të familjes. Ajo është e thirrur të jetë bashkësi e dashurisë dhe e jetës, në të cilën ndryshimet duhet të bashkërendohen për të formuar një “parabolë bashkimi”.
“Kryevepër e të Shenjtnueshmes Trini, ndërmjet të gjitha krijesave – vijoi Ati i Shenjtë – është Virgjëra Mari: në zemrën e saj të përvuajtur, plot me fe, Zoti përgatiti një banesë të denjë, për të përmbushur misterin e shëlbimit. Dashuria hyjnore – shtoi Benedikti XVI – gjeti në të përkim të përkryer e në kraharorin e saj Biri i vetëm i Hyjit u bë njeri. Prandaj, me besim bijnor, t’i lutemi Virgjërës Mari që të na ndihmojë të ecim gjithnjë në rrugën e dashurisë e ta bëjmë gjithë jetën tonë këngë lavdërimi lartuar Atit përmes Birit në Shpirtin Shenjt.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se të enjten e ardhshme do të marrë pjesë në proçesionin tradicional të Corpus Domini. Proçesionit do t’i paraprijë Mesha Shenjte, e kryesuar nga Benedikti XVI në tremen e bazilikës së Shën Gjonit në Lateran. Prej këndej, ftesa drejtuar të gjithë besimtarëve për të marrë pjesë në këtë ngjarje të madhe kishtare:
“I ftoj besimtarët e Romës dhe shtegtarët të marrin pjesë me shumicë në këtë takim, i cili shpreh fenë dhe dashurinë e bashkësisë së krishterë për Zotin e vet, të pranishëm në Eukaristi”.
Në çastin e përshëndetjeve në gjuhën italiane, Papa iu drejtua në mënyrë të posaçme Lëvizjes për Jetën të Pratos dhe punonjësve të Alkatelit të Rieti-Çitadukale, të cilët janë në rrezik të humbasin vendet e punës.







All the contents on this site are copyrighted ©.