2006-06-09 19:06:07

Mesazhi i Papës në funeralin e Pibirit: vdiq për paqen në Irak


( 09. 06. 06 R. V.) “Një tjetër i rënë gjatë kryerjes fisnike të detyrës në shërbim të rendit e të sigurisë, të drejtësisë e të rikthimit të paqes për popullsitë e Irakut” Kështu shprehet Benedikti XVI në telegramin drejtuar familjarëve të kapterit Aleksandro Pibiri, vrarë të hënën e kaluar në Nasiri. Në mesazhin, që u lexua para se të fillonte funerali shtetëror në bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës, Papa flet për një jetë të re, të këputur mizorisht dhe siguron se është shpirtërisht pranë familjarëve dhe të gjithë atyre që janë në zi për humbjen e njeriut të dashur.
Në kremtimin e kryesuar nga imzot Angelo Banjasko, kryeipeshkëv i ushtrisë për Italinë, ishin të pranishëm presidenti i Republikës, Napoletano, autoritetet më të larta të shtetit dhe përfaqësues të ndryshëm politikë nga mazhoranca dhe opozita. Të pranishëm edhe familjarët e ushtarakëve italianë të plagosur në atentatin e së hënës, të cilët nuk mund të merrnin pjesë në funeral. Por për hollësitë, të ndjekim shërbimin e Paolo Ondarcës:
“Një jetë e re e këputur mizorisht” “gjatë kryerjes fisnike të detyrës në shërbim të rendit e të sigurisë, të drejtësisë e të rikthimit të paqes në Irak”. Kështu e përshkruan Benedikti XVI kapterin e Brigadës Sasari, Aleksandër Pibirin, në telegramin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Angjelo Sodano, leximi i të cilit u ndoq me emocion të thellë në bazilikën e Shën Palit, të mbushur përplot me njerëz. Arkivoli me trupin e kapterit të rënë, i mbuluar me flamurin tringjyrësh, u prit me një roje nderi, me himnin e brigadës Sasari , ‘Dimonios’ dhe me një duartrokitje. Pastaj u vendos në bazilikën romake nën tingujt e këngës “Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit”, me fjalët e Shën Palit nga Letra drejtuar Romakëve. Rreth arkivolit binin në sy kurorat e shumta me lule të freskëta, vendosur nga autoritetet më të larta shtetërore dhe nga institucionet zonale të Sardenjës. Në lutje të heshtur, me dhimbjen e thellë që u lexohej në sytë e përlotur, familjarët dhe miqtë e Aleksandrit do ta kujtojnë gjithnjë për guximin ushtarak, por edhe për impenjimin e tij njerëzor e të krishterë si udhëheqës skaut e si katekist i famullisë të Shëlbuesit në Selargjus.







All the contents on this site are copyrighted ©.