2006-06-08 17:38:29

Kardinali Kamilo Ruini mbylli sonte takimin kishtar të dioqezës së Romës, hapur të hënën e kaluar nga Benedikti XVI. Me ne, Imzot Parmegjani


( 08. 06. 06 R. V. ) Të hapura nga Papa të hënën e kaluar, sonte u mbyllën punimet e takimit triditor kishtar të dioqezës së Romës. Veprimtaria përfundimtare, gjatë së cilës kardinali Runi mbajti referatin përmbyllës kushtuar vitit baritor 2006- 2007, nisi në orën 19. 30 pranë bazilikës së Shën Gjonit në Lateran.
Kujtojmë se në fjalën e hapjes, Benedikti XVI vuri theksin mbi temën e mbledhjes: “Gëzimi i fesë dhe edukimi i breznive të reja”. Fjalët e Papës shërbyen si pikënisje për ballafaqimin ndërmjet meshtarëve, laikëve dhe besimtarëve të rinj që morën pjesë në këtë takim. Këtë nënvizon Imzot Mauro Parmegjani, sekretar i përgjithshëm i Vikariatit të Romës, në mikrofonin e Radios sonë:

- Në dritën e asaj që tha Ati i Shenjtë të hënën, përcaktuam disa rrugë për vijimin e punës sonë: diskutuam për nevojën e një projekti të përbashkët në edukimin e të rinjve me gëzimin e fesë si dhe për lidhjen e ngushtë ndërmjet punës baritore me rininë e punës baritore me familjen. Folëm edhe për punën baritore ndër shkolla e ndër universitete si dhe për lidhjen ndërmjet baritorisë rinore e asaj të kandidatëve për rrugën e meshtarisë. Këto fusha, në të cilat u përqëndrua puna jonë, do të jenë në qëndër të vëmendjes të bashkësisë dioqezane për vitin e ardhshëm.  







All the contents on this site are copyrighted ©.