2006-06-07 19:51:36

Lajme shoqërore-politike: 7 qershor


(7/6/2006 R.V.)Komisari i lartë i OKB-së për refugjatët shprehu sot “shqetësim të thellë” për 65 mijë të shpërngulurit e Timorit Lindor, që janë grumbulluar në kampe refugjatësh të pasigurta. Ndërkaq në Dili po vazhdojnë bisedimet ndërmjet qeverisë dhe rebelëve. Ramosh Horta, Ministri i Mbrojtjes i Timorit Lindor u takua sot me Alfredo Reinadon kryetarin e rebelëve, i cili u tregua i gatshëm për të gjetur një rrugëdalje.


Të armatosur me shkopinj dhe gurë, me qindra fshatarë brazilianë të pa tokë, hynë me forcë në parlamentin e Brazilies dhe akuzuan presidentin Lula da Silva se nuk është angazhuar sa duhet në zbatimin e reformës agrare. Rreth 26 vetë mbetën të plagosur nga përleshjet me policinë dhe afro 400 fshatarë u arrestuan.


Parlamenti i Filipineve miratoi sot një dokument që shfuqizoi vendimin me vdekje. Teksti i ligjit do të bëhet i njohur në ditët e ardhshme nga Presidentja Gloria Arroyo. Ligji i miratua njëzëri nga senati mbrëmë vonë, pasi ishte miratuar më parë me shumë vështirësi edhe nga dhoma e deputetëve.


Vendet e Grupit të Kontaktit për Kosovën: Rusia, Italia, Gjermania, Britania dhe Franca u paraqiten autoriteteve kosovare sot një dokument prej 13 pikash që duhen plotësuar brenda gjashtë muajve të ardhshëm. Bëhet fjalë kryesisht për përmirësimin e kushteve të jetesës së serbëve si edhe për miratimin e ligjit për gjuhët në përdorim, krijimin e komisariateve të veçanta të policisë ku ka pakica serbe etj.


“Duhet të liberalizojmë vizat për turistët që duan të vizitojnë Shqipërinë.” Kështu u shpreh gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, kryeministri Sali Berisha. Qëllimi i kësaj reforme, sipas kryeministrit, është që bregdeti shqiptar të vizitohet vazhdimisht gjatë gjithë vitit nga turistët e huaj.







All the contents on this site are copyrighted ©.