Kalendari kishtar sot më 5 qershor, kremton Shën Pjetërin e Korishës, Oshënar, nga
Kosova.
(05.06.06.R.V.)Pjetri është me prejardhje nga fshati Ujëmirë, që gjendet në
jug-lindje të Pejës. Pjetri u rrit shumë i varfër, jetonte me bukën që fitonte duke
lëvruar një copë toke (arë) tejet të vogël me një ka të verbër nga njëri sy. Pas vdekjes
së prindërve, u tërhoq në një vend të izoluar bashkë me të motrën Helenen. Më vonë,
u izolue brenda një shpelle në kodrë të fshatit Korishë, jo larg Prizerenit, në Kosovë.
Pas një pendese të gjatë, në lutje e meditim të Fjalës së Zotit, Pjetri vdiq kah mbarimi
i shekullit XIII-të. Mbreti serbë, Stefan Dushani (1331-1355) dha urdhër që në
këtë vend të vdekjes së Shën Pjetrit, të ndërtohej një kishë, e cila u vu nën mbrojtje
të manastirit të Hilandarit mbi Malin Athos. Në vitin 1572 reliket e Pjetrit u bartën
në manastirin e Shën Mihillit Kryengjëll, në zonën e Ibrit, ku edhe gjenden e nderohen.
Gjithnjë më 5 qershor, duke shfletuar kalendarin e sotëm kishtar,
përkujtojmë edhe Shën Bonifacin, ipeshkëv e martir. Pa veprën misionare
të Bonifacit, murg benediktin e ipeshkëv, nuk do të kishte qenë i mundshëm organizimi
politik e social europjanë i Karlit të Madh. Bonifaci apo Winfridi i përkiste një
familjeje fisnike angleze të Devonshiret, ku lindi në vitin 680. Bëri kushtet e jetës
murgare në abacinë e Exeterit e të Nursligut, para se të fillonte ungjillëzimin e
popullsive gjermane përtej Renit. Pas vështirësive të para, në tri vjetë
përshkoj pjesën më të madhe të territorit gjermanik. I thirrur në Romë, mori shugurimin
ipeshkëvnor nga Papa dhe emrin e ri Bonifaci. Para se të organizonte Kishën përgjatë
bregut të djathët të lumit Ren, mendoj për themelimin e një abacie, në rajonin e Hesenit
e të Turingjit, që të bëhej qendër shtytëse e spiritualitetit e të kulturës fetare
në Gjermani. Kështu lindi abacia e njohur e Fuldës. Si seli kryeipeshkëvnore, zgjodhi
qytetin e Majncit (Meinz). Shën Bonifaci e përhapi Fjalën e Zotit në Gjermani për
40 vjet.Vdiq më 5 qershor të vitit 754. Shën Bonifaci është pajtor i Gjermanisë.