Të ndërtohen ura mirëkuptimi ndërmjet Kishës dhe opinionit publik: Kjo është ftesa
e Benediktit XVI për mjetet e informimit të lidhura në transmetim direkt me konferencën
ipeshkvnore italiane, ndërmjet të cilave edhe e përditshmja “Avvenire”.
(2/6/2006 R.V.) “Përhapni
Ungjillin e Krishtit në Itali pa u lodhur në ndërtimin e urave të mirëkuptimit dhe
komunikimit ndërmjet përvojës kishtare dhe opinionit publik,” Këtë u tha Papa drejtuesve,
gazetarëve dhe teknikëve të së përditshmes katolike “Avvenire”, të kanalit televiziv
Sat2000, të qarkut radiofonik Inblu dhe të agjencisë Sir si edhe të të gjitha masmediave
të lidhura direkt me Konferencën Ipeshkvnore. I pranishëm ishte edhe kardinali Kamilo
Ruini. Benedikti XVI ftoi të gjithë katolikët dhe të gjithë italianët që të jenë të
vëmendshëm ndaj vlerave të përnjimendta, që t’i mbështesin këto organe dhe mjetet
informimi.
“Të dashur miq, ju zhvilloni një detyrë me të vërtetë të
rëndësishme: edhe përmes kontributit tuaj, në fakt, gjen vazhdimësi angazhimi i katolikëve
italianë për të futur Ungjillin e Krishtit në jetën e kombit”.
Papa nënvizoi
me forcë rolin e operatorëve të mediave të promovuara nga Konferenca Ipeshkvnore italiane
dhe kujtoi se pat qenë Papa Pali VI ai që e deshi “lindjen e Avvenire-s”, si e përditshme
katolike mbarëkombëtare”, fill në vitet e pasluftës. Një angazhim që u zgjerua pastaj
edhe me “një vendim guximtar... në fushën e transmetimit radioteleviziv” për të përhapur
në mënyrë gjithnjë e më efikase mesazhin e krishterë në kulturën e krishterë:
“Kultura
evropiane, sikurse e dini mirë, është formuar ndër shekuj me kontributin e krishtërimit.
Duke filluar pastaj që nga iluminizmi kultura nisi të largohej gjithmonë e më shumë
nga themelet e saja të krishtera.”
Disa fakte – vijoi Papa – na tregojnë
me një qartësi dramatike pasojat e këtij largimi: “shpërbërja e familjes dhe e martesës,
pusitë ndaj jetës njerëzore dhe të dinjitetit të saj, reduktimi i fesë nga përvoja
subjektive dhe shekullarizimi i ndërgjegjes publike”:
“Ekzistojnë, sidoqoftë
në pjesë të ndryshme të Evropës përvoja dhe kultura të krishtera që afirmohen e që
rishtas po dalin me një hov gjithnjë në rritje. Në veçanti feja katolike, është ende,
përgjithësisht, e pranishme në jetën e popullit italian dhe shenjat e një gjallërie
të ripërtërirë të saj janë të dukshme për të gjithë. Prandaj në punën tuaj si kumtues
të frymëzuar nga Ungjilli është e nevojshme të punoni me mend”.
Bëhet
fjalë – tha Papa Racinger – për forcimin e “atyre formave të krishtera që rrjedhin
nga tradita e madhe e popullit italian, dhe të promovoni përvojat e reja të krishtera
që po lindin” duke i ndihmuar për t’u ndërgjegjësuar se kanë rrënjë kishtare dhe
për rolin që mund të luajnë në shoqërinë dhe kulturën italiane. Pastaj Papa i nxiti
gazetarët për të dhënë “një dëshmi të ndritshme të një jete të krishterë të thellë”,
duke mbetur të lidhur me Krishtin në mënyrë që ta shohin botën me sytë e Krishtit:
“Të
jini të lumtur që i përkitni Kishës dhe se mund të vini në rrethin e madh të komunikimit
zërin e saj dhe arsyet e saja. Mos u lodhni kurrë së ndërtuari ura mirëkuptimi dhe
komunikimi ndërmjet përvojës së krishterë dhe opinionit publik. Kësisoj do të mund
të jeni protagonistë të një komunikimi jo të përanshëm por mik në shërbim të njeriut
të sotshëm.”
Në fund të fjalës së tij Benedikti XVI u siguroi “afërsinë
e tij të vazhdueshme” mjeteve të informimit të mbështetura nga Konferenca Ipeshkvnore
italiane.