2006-06-01 17:57:25

Audienca e Papës Benediktit XVI me “Patrons of the Arts” që falenderoi për interesin e tyre të vazhdueshëm ndaj thesarit të muzeumeve të Selisë së Shenjtë


(01.06.06.R.V.)Bukuria e artit, pesha e historisë por mbi të gjitha dëshmia e fesë të palëkundur të kishës: kjo është pasuria e museumeve të Vatikanit, kujtuar nga Papa në takimin me “Patrons of the Arts” që falenderoi për interesin e tyre të vazhdueshëm.


Jo vetëm ruajtës të pasurisë të pakrahasueshme të Muzeumeve të Vatikanit por edhe pjesë e misionit ungjillëzues të Kishës: kështu Bendikti XVI iu drejtua “Patrons of the Arts” të cilët i priti sot paradite në Vatikan, në pesëqind vjetorin e themelimit të muzeumeve. Thesaret që na rrethojnë “nuk janë vetëm monumente mbresëlënëse të së kaluarës” – nënvizoi Papa – por bëhen “dëshmi e përjetshme e fesë së palëkundur të Kishës në Trininë e Zotit”. Kjo për ato qindra mijra vizitues, kujtoi Papa që kundrojnë veprat e artit vit pas viti. E Benedikti XVI citoi një frazë të Shën Agostinit nga Rrëfimet (X,27), duke e cilësuar si të paharrueshme: “Bukuri gjithnjë antike dhe gjithnjë e re”.


Kujtojmë se “Patrons of the Arts in the Vatican Museums” — “Pajtorët e Artit në Muzeumet e Vatikanit” është një grup njerëzish që i janë kushtuar ruajtjes të koleksioneve të shumëllojshme të artit të Muzeumeve të Vatikanit. Grupi ka lindur në 1983, kur një ekspozitë veprash erdhi nga Vatikani në Shtetet e Bashkuara.








All the contents on this site are copyrighted ©.