2006-05-29 18:48:04

Domethënia e vizitës së Benediktit XVI në kampet naziste të Aushvicit. Mbi këtë temë në mikrofonin e Radio Vatikanit flet Giuseppe Laras, kryetar i Rabinëve të Italisë, dhe Leon Paserman, kryetar i bashkësisë hebree të Romës.


(29.05.06.R.V.) Në rend të parë i drejtohemi Giuseppe Laras, kryetarit të Rabinëve të Italisë për një koment të tij?


Përgjigje: Vizita ishte në të njëjtën kohë një paralajmërim për njerëzimin, por edhe një fjalë shprese dhe ngushllimi për të gjithë ata që kanë vuajtur. Në fjalët e Benediktit XVI lexova vuajtjen për sa ka ndodhur në Aushvic, për përgjegjësitë e nazismit, dhe, në një farë mënyre edhe të popullit gjerman.


Pyetje: Papa tha se për një vend si Aushvici nuk gjen fjalë. Ka vend vetëm për nj heshtje tronditëse dhe një britmë drejtuar Zotit: Por ç’përgjigje merr sot heshtja e Zotit?


Përgjigje: Përpara se të pyesim vetëveten për heshtjen e Zotit, duhet të pyesim për heshtjen e njeriut, domethënë: Ku ishte njeriu në Aushvic? Në fund të fundit njeriu është një krijesë që mbart në vetvete shëmbëlltyrën e Zotit. Është një krijesë e pajisur me liri. Duhet sigurisht që të marrim parasysh faktin se njeriu nuk e ushtroi në mënyrë të denjë fuqinë e lirisë që i është dhënë nga Zoti. Pra, përpara se të shtrojmë një pyetje teologjike, ndoshta na duhet të shtrojmë një pyetje me karakter etik dhe shoqëror.


Në 1992 aty ku shumë jePyetje: të u këputën në mes, lindi një qendër dialogu dhe lutjesh. Çfarë frytesh të tjera mund të lindin nga dhimbja e Aushvicit?


Përgjigje: Vetëdija për sa ka ndodhur dhe impenjimi për të pohuar: “Kurrë më”. Ai vend takimi është një vend në të cilin secili prej nesh, i cilitdo besim fetar qoftë, mund të gjejë forcën dhe shtysën për të vështruar drejt pikësynimesh të denja për njeriun.


Pyetje: Por, për dëshirën e Bendiktit XVI për të shkuar në kampin e Aushvicit dhe Birkenaut, le të dëgjojmë mendimin e Leon Pasermanit, kryetar i bashkësisë hebraike të Romës...


Përgjigje: Eshtë pranimi i tmerrit të holokaustit. Vetë Papa deshi të nënvizojë se si gjerman nuk mundte të mos vinte në Aushvic. Me fjalë tjera deshi të marrë përsipër pjesën e tij në këtë tragjedi të stërmadhe.
 
Pyetje: Çfarë ju bëri më shumë përshtypje kur patë Bendiktin XVI në Aushvic?


Përgjigje: Kur kapërceu kangjellat kryesore. Fytyra e nderë, e hequr. Ishte vetëm. Dhe pak metra pas tij, ai grup i vogël që e shoqëronte. E pashë krejt vetëm teksa mbante atë barrë fajesh.







All the contents on this site are copyrighted ©.