2006-05-28 20:32:01

Vizita historike e Papës Benediktit të XVI në kampin e Aushvicit (28 maj 2006). Një ngjarje e jashtëzakonshme e plotë domethënie.


(28.05.06. R.V.) Papa u lut para Murit të Vdekjes, takoj disa të mbijetuar nga kampet e shfarosjes e pastaj vizitoi bllokun n.11 të të burgosurve hebrenjë, polakë, romë e të kombësive tjera, ndër to edhe çelën e shën Maksimilian Kolbit.
Në vijim Papa vuri firmen në librin e muzeut të Aushvicit, e vizitoj Qendrën e Dialogut e të Lutjes në këtë kamp.
Nga Aushvici Papa shkoj në Kampin e Birkenaut e këtu mbajti fjalimin e tij. Mes tjerash ai tha:
“Të marrësh fjalën në këtë vend të tmerrit, të grumbullimit të krimit kundër Zotit e kundër njeriut që nuk ka krahasim në histori, është gati e pamundshme – e është veçanarisht e vështirë dhe e rëndë për një të krishterë, për një Papë që vjen nga Gjermania. Në një vend si ky, mungojnë fjalët, në fund të fundit mund të ketë vetëm heshtje tronditëse – heshtje që është britmë e brendshme drejt Zotit: Përse, o Zot, ke heshtur? Përse ke mundur të tolerosh gjithë këtë? Pikërisht në këtë qendërim të heshtur ne po gjunëzohemi thellësisht në brendësinë tonë para aradhës së panumërt të atyre që kanë vuajtur e që janë shpie në vdekje; kjo heshtje, megjithatë, pastaj me zë të lartë bëhët kërkesë faljeje e pajtimi, një britmë ndaj Zotit të gjallë për të mos lejuar kurrë më një diçka të ngjajshme.
Njëzetështatë vjetë më parë, më 7 qershor 1979, këtu në këtë vend ishte Papa Gjon Pali II:


“Papa Gjon Pali II erdhi këtu si bir i popullit polak. Unë erdha këtu si bir i popullit gjerman, dhe pikërisht për këtë duhet e mund të them së bashku me të: Nuk mund të mos vija këtu. Duhet të vija. Ishte dhe është një detyrë kundrejt së vërtetës dhe së drejtës të atyre që kanë vuajtur, një detyrë përpara Zotit, të qenurit këtu si pasardhës i Gjon Palit II dhe si bir i popullit gjerman — bir i atij populli në krye të të cilit një grup kriminal mori pushtetin me premtime të rrejshme, në emër të perspektivës së madhështisë, të rifitimit të nderit të kombit dhe të rëndësisë së tij, me parashikime për mirëqenie por edhe me forcën e dhunës e të kërcënimeve, derisa që populli ynë u përdor dhe u abuzua me të si vegël e manisë së tyre për shkatërrim dhe sundim. Po, nuk kisha se si të mos vija këtu.”

Më pas Ati i Shenjtë vijoi duke thënë se gjendet në Aushvic për të kërkuar hirin e pajtimit — pikësëpari nga Zoti, që është i vetmi që mund të hapë dhe të dlirë zemrat tona.
Gjithashtu Ati i Shenjtë Benedikti XVI në fjalën e tij, nënvizoi se njeriu nuk mund të zbulojë misteret e Zotit e as të bëhet gjykatës i Tij e i historisë sepse duke vepruar në këtë mënyrë nuk mbrohet njeriu por vetëm sa kontribuohet në shkatërrimin e tij.
“Jo në asnjë mënyrë. Duhet t’i përmbahemi asaj thirrjeje të përvuajtur dhe të vazhdueshme drejtuar Zotit: Zgjohu! Mos e harro krijesën tënde, njeriun! Dhe thirrja jonë drejtuar Zotit duhet të jetë në të njëjtën kohë edhe një thirrje që depërton ndër zemrat tona, në mënyrë që të zgjohet tek ne prania e Zotit — në mënyrë që ajo fuqi që Ai ka depozituar në zemrat tona të mos mbulohet e të mbytet nga balta e egoizmit, nga frika e njerëzve, nga indiferenca dhe oportunizmi”- vijoi në fjalën e tij përshëndetëse Bendikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.