2006-05-27 20:07:24

Në ditën e tretë të qëndrimit të tij në Poloni Ati i Shenjtë Benedikti XVI vizitoi sot Vadovicen dhe Blonien ku u prit nga entuziasmi i pashoq i besimtarëve.


RealAudioMP3 Pritje bujare dhe shumë e përzemërt edhe në Vadovicë për Benediktin XVI, fjalët e të cilit në polonisht u duartrokitën nga të gjithë. Ati i Shenjtë shprehu “mallëngjimin e tij të madh” për ardhjen në vendlindjen e Gjon Palit II, “në qytetin e fëmijërisë dhe të rinisë së tij”. “Vadoviceja – tha ndër të tjera Papa Racinger, nuk mund të mungonte” në intinerarin e këtij pelegrinazhi në tokën polake nëpër gjurmët e paraardhësit Gjon Palit II.
Benedikti XVI hyri në shtëpinë e Karol Vojtilës, një apartament i thjeshtë në katin e parë, pranë Bazilikës së Paraqitjes së Marisë. Më pas Papa u ndal para djepit të Karol Vojtilës, tek fotografia e nënës, e cila vdiq kur Vojtila ishte vetëm 9 vjeç. Më pas Benedikti XVI qëndroi për disa çaste edhe te pagëzimorja aq e dashur për Gjon Palin II.


Papa vijoi më tej duke cituar Gëten:


“Kush do të kuptojë një poet duhet të shkojë në vendin e tij”. Kështu që për të kuptuar jetën, ministerin e Gjon Palit II “ishte e nevojshme ardhja në qytetin e tij të lindjes.” Vetë Papa Vojtila pat rrëfyer sesi këtu, në Vadovice “filloi gjithçka: filloi jeta, filloi shkolla, studimet, filloi teatri... dhe meshtaria”:


“Gjon Pali II, duke sjellur ndërmend ato kohë, i drejtohej shpeshherë një shenje: asaj të pagëzimores, që ai e rrethonte me nderim të veçantë në kishën e Vadovices”.


“Te kjo pagëzimore, - thoshte Gjon Pali II – m’u dhurua hiri për t’u bërë bir i Zotit, për të marrë pagëzimin në Shëlbuesin tim, dhe u pranova në bashkësinë e Kishës së Tij. “Në këto fjalë – tha Papa – “gjejmë çelësin për të kuptuar koherencën e besimit të tij”, “radikalizmin” e jetës së krishterë dhe “dëshirën për shenjtëri” të Karol Vojtilës. “Gjendet këtu – shtoi Papa dhe vetëdija e thellë për hirin hyjnor, për dashurinë që Zoti tregon falas ndaj njeriut, që nëpërmjet larjes me ujë dhe zbritjes së Shpirtit të Shenjtë “na fut në atë shumicë bijsh të Tij të shëlbuar nga Gjaku i Krishtit. Por gjejmë edhe vetëdijën se Pagëzimi i përnjimendtë është...edhe një thirrje për të treguar kujdes për drejtësinë që buron nga feja. Motua në rend të ditës të këtij pelegrinazhi: ‘Qëndroni të fortë në fé’, gjen këtu përmasat e veta konkrete që mund të shprehen edhe me thirrjen: “Qëndroni të patundur në respektimin e premtimeve të Pagëzimit”.


Pastaj Benedikti XVI nënvizoi edhe lidhjet e Gjon Palit II me famullinë:


“Paraardhësi im shihte Bazilikën e Vadovices dhe famullinë e lindjes si një vend të një rëndësie të veçantë për zhvillimin e jetës së tij shpirtërore që po i zbulohej.”


“Sa të mira, sa hire – thoshte Papa Vojtila – mora te ky tempull dhe në këtë bashkësi famullitare.” Për këtë – kujtoi Benedikti XVI – Gjon Pali II “i rrethonte me aq shumë përkujdesje bashkësitë famullitare. Në frymën e nxitjes së tij – shtoi Papa – u kërkoj “ipeshkvijve polakë që të bëjnë të pamundurën në mënyrë që famullia polake të jetë me të vërtetë një ‘bashkësi kishtare’ dhe ‘një familje e Kishës’


Në mbyllje Benedikti XVI kujtoi edhe një tipar “të veçantë të fesë dhe të përshpirtmërisë të Gjon Palit II”:


“Ai vetë pat përmendur shumë herë lidhjen e thellë të banorëve të Vadovicës me ikonën e këtushme të Zojës të Ndihmës së Pasosun dhe zakonin e uratës së përditshme, përpara saj, të studentëve të gjimnazit të atëhershëm”.


E përpara ikonës së Zojës së Ndihmës së Pasosun, Bendikti XVI falenderoi edhe një herë Zotin për papninë e Gjon Palit II dhe u kërkoi të gjithë polakëve që ta shoqërojnë me lutje “ me të njëjtën lutje me të cilën shoqëruan edhe “Bashkëatdhetarin e tyre të madh”.


Pas Vadovices Papa u drejtua në Shejtëroren mariane të Kalvaria Zebërzhidovkës, kushtuar Mundimeve të Jezusit dhe Zojës së Përdhimbëshme. Shenjtërorja, e njohur për Udhën e saj të Krygjës, që gjarpëron përmes një pylli për 15 km, ishte vendi i parapëlqyer i shtegtimeve të Vojtilës së ri.
Është një nga zemrat e gjalla të përshpirtmërisë së polakëve. Benedikti XVI u ndal për të thënë uratë edhe në kishëzën e Zojës. Me dhjetra mijëra vetë rendën drejt Shenjtërores për ta përshëndetur me këngë dhe me duartrokitje. Ndërsa Kardinali Gjivish iu luste Papës që të nxitonte për të mos u vonuar në takimin tjetër, Benedikti XVI dha të kuptojë që, edhe pse nuk ishte përfshirë në program, dëshironte të thoshte diçka në italisht e që duhej të përkthehej në polonisht. Ja fjalët e tij:


“Do të dëshiroja t’ju thosha se edhe unë, ashtu si edhe i shtrenjti kryeipeshkëv kardinal Stanislao Gjivish, shpresoj se Provanija të na lejojë së shpejti lumnimin dhe kanonizimin e të dashurit tonë Papës Gjon Palit II.”


Menjëherë pastaj Ati i Shenjtë vijoi udhën për në Lagievniki, te shenjtërorja e Mëshirës Hyjnore, themeluar pasi që Faustina Kovalka pati të dëftuarit e Jezusit të Mëshirshëm. Këtu Papa pati një takim prekës me disa qindra të sëmurë. Mes tjerash Ati i Shenjtë tha se në këto rrethana gjindemi përpara dy mistereve: misterit të vuajtjes njerëzore dhe misterit të Mëshirës Hyjnore. Në shikim të parë – shtoi – këto dy mistere duken se i kundravihen njëri-tjetrit. Por kur i shqyrtojmë në dritën e fesë, vërejmë se ato janë në harmoni të ndërsjelltë. Dhe kjo falë misterit të Krygjës së Jezu Krishtit.” - vuri në dukje Benedikti XVI.


E tani le të ndalemi më hollësisht te takimi i Papës me të rinjtë në Parkun e Blonies, që sikurse njoftuam në hyrje të programit porsa përfundoi si edhe te përshëndetja dhe bekimi i tij apostolik dhënë nga dritarja e kryeipeshkëvisë së Krakovies ku kthye për të buajtur.


Sonte Benedikti XVI u takua me të rinjtë katolikë polakë në parkun e madh të Blonies. U lut së bashku me ta. Përsëri me ta dëgjoi Leximet e Shenjta, ndër të cilat edhe një pjesë nga Ungjilli i Mateut (7, 24-25). Në mbyllje të takimit Ati i Shenjtë u dorëzoi të rinjëve “Flakën e Mëshirës”. Gjithashtu Papa u besoi atyre edhe misionin për të çuar kudo në botë dritën e besimit.


Të dashur miq të rinj,
Ju uroj përzemërsisht mirëseardhjen! I jam mirënjohës Zotit për këtë takim me ngrohtësinë e përzemërisë suaj. E dimë se “ku janë dy ose tre që luten në emrin e Jezusit, Ai është në emër të tyre. Por ju sot, këtu, jeni shumë më tepër! Falenderojë për këtë secilin dhe secilën prej jush! Jezusi pra është këtu me ne”.




Me këto fjalë Benedikti XVI iu drejtua rinisë së mbledhur në Blonie për ta përshëndetur. Më pas Ati i Shenjtë foli mbi shtëpinë, në vështrimin metaforik, si dëshirë legjitime e çdo njeriu. “Në zemrën e çdo njeriu, është, – tha Papa – dëshira e një shtëpie të fortë, në të cilën të kthehesh me gëzim e në të cilën të pritet me gëzim edhe çdo mik që vjen. Është nostalgjia e një shtëpie në të cilën buka e përditshme të jetë dashuria, falja, nevoja për mirëkuptim, një shtëpi në të cilën e vërteta të jetë burimi nga gurgullon paqja e zemrës.”
Më tej Ati i Shenjtë u dha zemër të rinjve ta kërkojnë e ta ndërtojnë këtë banesë me fjalët: “Mos kini frikë nga kjo dëshirë! Mos t’u lëshojë zemra kur të shihni shtëpi të rrënuara, dëshira të dështuara, nostalgji të venitura. Hyu Krijues, që dikon në zemrën e një të riu dëshirën për lumturi, nuk e braktis pastaj në ndërtimin e lodhshëm të asaj shtëpie që quhet “jetë”- nënvizoi Benedikti XVI.


Më pas Papa, që vazhdimisht iu drejtua të rinjëve me fjalët “miqtë e mi”, u ndal në shpjegimin e kësaj teme duke u dhënë të pranishëmve udhëzime sesi ta ndërtojnë këtë shtëpi që quhet “jetë”. E ardhmja që të jetë e ndritëshme dhe e sigurtë duhet ndërtuar mbi atë shkëmb që quhet Jezus tha Ati i Shenjtë, i cili më tej shtoi se të ndërtosh mbi një shkëmb do të thotë, edhe se duhet të ndërtosh mbi atë shkëmb që quhet Pjetër e së bashku me Pjetrin.


Në mbyllje Ati i Shenjtë vuri në dukje se fjala e fundit e Krishtit është fjala e shpresës, sepse shtëpia e themeluar mbi shkëmb nuk u rrënua.


Në orën 20.30, duke folur nga dritarja e kryeipeshkëvisë së Krakovies, para bekimit apostolik që mbylli aktivitet e sotme të Benediktit XVI në Poloni, Ati i Shenjtë nuk harroi të falenderojë edhe një herë të rinjtë që kishin ardhur të takoheshin e të dëgjoni fjalën e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.