Edhe sot, në plan të
parë dhuna në Irak. Nëntë persona u vranë dhe më shumë se 50 u plagosën nga shpërthimi
i katër bombave në zona të ndryshme të Bagdadit. Gjithnjë në kryeqytet trajneri i
kombëtares së Irakut të tenisit dhe dy lojtarë u vranë sepse ishin në pantallona të
shkurtëra.
Pas një ore e gjysmë bisedimesh presidenti Xhorxh Bush dhe kryeministri
Toni Bler deklaruan për shtypin se kanë bërë gabime në Irak dhe se nuk e kishin menduar
se lufta do të zgjaste kaq shumë. Megjithëkëtë, të dy udhëheqësit shprehën bindjen
se Iraku nuk duhet lënë në dorë të terroristëve dhe se trupat ndërkombëtare nuk duhet
të tërhiqen tani për tani.
Abu Hamza Al-Mazhzub, përfaqësues i xhihadit
palestinez, u vra së bashku me të vëllanë sot në një atentat me bombë në Sidon, në
jug të Libanit. Ndërkohë Izraeli vendosi që t’i dërgojë municione dhe armatim forcave
të policisë besnike të presidentit Abu Mazen.
Nurpashi Kulajev, i vetmi
terrorist që u kap i gjallë pas masakrës në shkollën e Beslanit në Oseti, u dënua
me burg të përjetshëm. “Meritoni dënimin me vdekje – i tha gjykatësi të pandehurit
– por nuk është e mundur sepse Rusia ka nënshkruar moratoriumin që nuk lejon ndëshkime
kapitale.”
Gjendja në Mogadishu, Somali është akoma e nderë pas betejave
të përgjakshme ndërmjet militantëve të shkollave kuranike dhe forcave qeveritare.
Burimet spitalore njoftuan se deri tani ka rreth 60 të vdekur dhe më shumë se 150
të plagosur. Popullata po largohet në masë nga kryeqyteti i Somalisë për në zona më
të sigurta.
Sudani pranoi më në fund që një mision i OKB-së dhe i Bashkimit
Afrikan të vizitojë zonën e Darfurit për të përgatitur dërgimin e helmetave blu. Dhuna
që shpërtheu në shkurt të vitit 2003 ka shkaktuar deri tani afro 2 milionë të shpërngulur
dhe rreth 100-200 mijë viktima. Për t’i prerë hovin krizës bërthamore iraniane,
sekretari i këshillit të sigurisë kombëtare ruse, Igor Ivanov, do të takohet kësaj
fundjave në Teheran me Ali Larianin, përfaqësues i Iranit. Lajmi u bë i njohur dje
pas përfundimit të mbledhjes në Londër të grupit të pesë anëtarëve të përhershëm të
Këshillit të Sigurimit të Kombëve të Bashkuara dhe Gjermanisë.
Senati
amerikan miratoi me shumicë votash ligjin për emigracionin sipas të cilit forcohet
mbikqyrja e kufirit por edhe legalizohen rreth 12 milionë klandestinë që aktualisht
gjenden në SHBA-ës. Ligji kaloi falë 23 votave të deputetëve republikanë që iu bashkuan
atyre të demokratëve.