2006-05-26 18:21:05

Dita II e shtegtimit apostolik të Benediktit XVI në Poloni: sot Papa ishte në Varshavë, Çestokovë e Krakovi. E jashtzakonshme pjesëmarrja e besimtarëve në Meshën e sotme në Sheshin Pilsudski


RealAudioMP3 ( 26. 05. 06 R. V. )Pjesëmarrje e jashtzakonshme, plot fe e dashuri, në Meshën e kryesuar nga Benedikti XVI në Varshavë, gjatë së cilës Papa i ftoi besimtarët për qëndresë në fe, duke theksuar se është e nevojshme të pranohen mësimet e Kishës, edhe pse janë shqetësuese e se dashuria dhe vërtetësia nuk mund të ndahen. Shiu i dendur, që binte sot paradite, nuk i pengoi polakët të mblidheshin rreth Vikarit të Krishtit, që arriti dje në Poloni për t’i përforcuar vëllezërit në fe. E sot paradite Papa preku përsëri temën e dashur për të: lidhjen e ngushtë ndërmjet dashurisë dhe së vërtetës. Të kesh fe - theksoi Ati i Shenjtë – do të thotë ta duash Krishtin duke bërë vullnetin e tij, që kalon edhe përmes mësimeve të Kishës. E besimtarët janë të thirrur të pranojnë se ka edhe njerëz, të cilët do të dëshironin t’i falsifikonin fjalët e Ungjillit, duke ua hequr të vërtetat, që u duken tepër shqetësuese për botën e sotme. Ashtu siç ka njerëz që vdiqën për t’i qëndruar besnikë fjalës së Krishtit.
Por, të ndjekim shërbimin e të dërguarit të Radios sonë në Poloni, Sergjio Çentofantit:
“Një turmë tepër e madhe, pa marrë parasysh shiun e rrëmbyer, ishte e pranishme sot paradite në Meshën solemne të kryesuar nga Benedikti XVI në Sheshin historik Pilsudski, mbi të cilin lartohej një kryq 25 metra, 27 vjet pas kremtimit të kryesuar po në këtë vend nga Gjon Pali II, gjatë shtegtimit të tij të parë apostolik në Poloni më 1979. E Benedikti XVI u nis pikërisht nga homelia historike e Papës Vojtila, mbajtur në Poloninë që ishte ende nën regjimin komunist: “Zbritët Shpirti yt e e rinoftë faqen e tokës!” – u lut asokohe Gjon Pali II, duke shtuar “Faqen e kësaj toke!”. Benedikti XVI kujtoi primatin e madh të Polonisë, Kardinalin Vishinski, me të cilin ishte tepër i lidhur Karol Vojtila: dy figura që kanë bërë historinë e re të Polonisë. Sapo u zgjodh papë, Gjon Pali II i shkroi kardinalit Vishinski: “Mbi selinë e Pjetrit nuk do të ishte ulur ky papë polak… në se nuk do të kishte qenë feja jote, që nuk u përkul para burgut e vuajtjes; shpresa jote heroike e besimi deri në fund të fundit në Kishën Nënë”.
Si të mos e falënderojmë sot Zotin – tha Benedikti XVI – për gjithë ç’është realizuar në atdheun tuaj e në mbarë botën gjatë papnisë së Gjon Palit II? Pamë me sytë tonë ndryshimin e sistemeve të tëra politike, ekonomike e shoqërore. Njerëz të vendeve të ndryshme fituan lirinë dhe u bënë të vetëdijshëm për dinjitetin e tyre. Nuk duhet t’i harrojmë veprat e mëdha të Zotit!.
‘Qëndroni të fortë në fe!”. Papa përsëriti edhe sot moton e këtij shtegtimi apostolik: Feja – pohoi – është dhuratë, por edhe detyrë. E shtoi në gjuhën italiane:
Ai do t’ju japë një tjetër Ngushëllues – Shpirtin e së vërtetës. Feja, si njohje dhe praktikim i së vërtetës mbi Zotin e mbi njeriun, varet nga predikimi, e predikimi realizohet përmes fjalës së Krishtit, thotë Shën Pali. Gjatë historisë së Kishës, Apostujt e predikuan fjalën e Krishtit, duke u kujdesur t’ua dorëzojnë të pacënuar pasardhësve të cilët, nga ana e tyre, e transmetuan nga breznia në brezni, deri në ditët tona. Shumë predikatarë të Ungjillit dhanë edhe jetën, për t’i qëndruar besnikë së vërtetës të fjalës së Krishtit”.
E nga kujdesi për ta ruajtur të vërtetën – shpjegoi Papa – lindi Tradita e Kishës. Por, ashtu si në shekujt e kaluar – shtoi Ati i Shenjtë – kështu edhe sot ka njerëz ose mjedise që, duke e braktisur këtë Traditë shekullore, dëshirojnë ta falsifikojnë fjalën e Krishtit e t’i heqin Ungjillit të vërtetat që, sipas tyre, ia prishin rehatin njeriut modern. Bëhen përpjekje për të krijuar pështypjen se gjithçka është relative e se edhe të vërtetat e fesë varen nga situatat historike dhe nga vlerësimi njerëzor. Por – nënvizoi Ati i Shenjtë – Kisha nuk mund ta bëjë të heshtë Shpirtin e së Vërtetës.
Pasardhësit e Apostujve, së bashku me Papën, janë përgjegjës për të vërtetat e Ungjillit e edhe të gjithë të krishterët janë të thirrur të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë, duke i ballafaquar vazhdimisht bindjet e tyre me mësimet e Ungjillit e me Traditën e Kishës, në impenjimin për t’i qëndruar besnikë fjalës së Krishtit. Nuk duhet të biem – ftoi Papa - në tundimin e relativizmit ose në interpretimin subjektivist e seleksionues të Shkrimeve të Shenjta. Vetëm e vërteta e plotë mund të na hapë rrugën për t’u bashkuar me Krishtin e vdekur e të ngjallur për shëlbimin tonë:
“Të kesh fe nuk do të thotë vetëm të pranosh një numër të caktuar të vërtetash abstrakte rreth mistereve të Hyjit, të njeriut, të jetës, të vdekjes e të realiteteve të ardhshme. Feja qëndron në lidhjen e ngushtë me Krishtin, lidhje e bazuar mbi dashurinë e Atij që na desh i pari”.
Benedikti XVI e përfundoi homelinë në gjuhën polake, i duartrokitur nga turma, me një lutje drejtuar Virgjërës Mari:
“NIECH MARYJA KROLOWA POLSKI…...
“Maria, Mbretëresha e Polonisë, ju tregoftë rrugën që çon tek Biri i saj e ju shoqëroftë në shtegtmin drejt së ardhmes së lumtur e plot me paqe. Mos mungoftë kurrë në zemrat tuaja dashuria për Krishtitn e për Kishën e tij”.
Kujtojmë se në Meshë ishte e pranishme edhe nëna e don Jerzy Popieluzkos, meshtarit polak të lidhur me Solidarnosh, që u vra në vitin 1984 nga njerëz të paguar prej regjimit komunist.
Drejtori i Radios sonë, Atë Andrei Koprovski S. J., nga Polonia, ku ndodhet me grupin që shoqëron Papën, iu përgjigj kështu pyetjes, që iu drejtua nga mikrofonet tona, mbi rolin e meshtarit në atmosferën e tundimeve të relativizmit, për të cilat Papa foli kaq qartë në Meshën e sotme:

Përgjigje: Në Poloni vërehen ndryshime shumë të shpejta në planin shoqëror, politik e kulturor. Në këtë çast nuk mungojnë edhe rregulltarë e priftërinj që kanë prirjen të merren tepër me problemet shoqërore. Prandaj Papa e nënvizoi menjëherë këtë aspket: duhet të jeni – tha Ati i Shenjtë – mësues të vërtetë të shpirtit, duhet t’i ndihmoni njerëzit ta kuptojnë më mirë figurën e Jezu Krishtit dhe domethënien e bashkësisë kishtare.
  Pasdite Ati i Shenjtë shkoi në Çestokovë, që njihet edhe me emrin Jasna Gura, ku lartohet shenjtërorja më e famshme e Zojës së Bekuar në Poloni. Në ketë shenjtërore nderohet ikona e Zojës së Zeshkët, e cila u shpall Pajtore e Polonisë 350 vjet më parë, kur fatet e vendit rrezikoheshin nga suedezët (1656). Po këtu, para 50 vjetësh, më 26 gusht 1956, populli polak iu kushtua përsëri Zojës së Bekuar, së cilës edhe Gjon Pali II ia pati besuar papninë e tij.
Veshja e re e Zojës së Zeshkët, punuar me qelibar e diamante, është përmbushje e kushtit me rastin e 350-vjetorit të mbrojtjes së mrekullueshme të Jasna Gurës e njëkohësisht, shprehje e mirënjohjes për jetën e Gjon Palit II në 25- vjetorin e themelimit të Solidarnosh. Kurorat e arta të ikonës janë bekuar e dhuruar nga Gjon Pali II më 1 prill të vitit 2005, një ditë para vdekjes.
Në Jasna Gura Papa u takua me rregulltarët, seminaristët dhe përfaqësuesit e lëvizjeve të ndryshme.
Duke kujtuar leximet liturgjike të ditës së sotme, Benedikti XVI theksoi: “Ashtu si apostujt me Virgjërën Mari u ngjitën në dhomën e sipërme e u përqëndruan prore së bashku në uratë - ashtu edhe ne jemi mbledhur së bashku këtu, në Jasna Gura, që për ne sot është ‘dhoma e sipërme”, ku Maria, Nëna e Zotit është mes nesh”. Më pas Benedikti XVI kujtoi edhe enciklikën “Redemptoris Mater” të Gjon Palit II, si simbol i vazhdimësisë të magjisterit të Papës Vojtila dhe shpjegoi se feja është takim me misterin e Zotit:
“Feja është dhurata e dhënë në Pagëzim, që e bën të mundur takimin me Zotin. Zoti fshihet në mister: pretendimi për ta kuptuar do të thotë ta kufizosh në konceptet tona e në dijen tonë e kështu ta humbasësh në mënyrë të pandreqshme. Ndërsa me anë të fesë, mund të hapim një shteg përmes koncepteve, edhe atyre teologjike, e mund ‘të prekim’ Hyjin e gjallë”.
Në vijim Papa u kujtoi rregulltarëve premtimet që kanë bërë, duke ia kushtuar gjithë jetën Zotit dhe i porositi të vijojnë ecjen në gjurmët e Krishtit, duke dhuruar gjithçka për Mbretërinë e Hyjit.
Ndërsa kandidatët për rrugën e meshtarisë, Ati i Shenjtë i porositi:
Kur ta merrni ndër duar Korpin eukaristik të Jezusit, për të ushqyer me të popullin e Zotit, e kur të merrni mbi vete përgjegjësinë për këtë pjesë të Korpit Mistik, që do t’ju besohet, kujtoni mahnitjen dhe adhurimin që karakterizoi fenë e Marisë. Ashtu si Ajo, në dashurinë e saj amtare, plot pergjegjësi, për Jezusin, e ruajti mahnitjen virgjërore, edhe ju, duke u gjunjëzuar liturgjikisht në çastin e shugurimit, ruajeni në shpirtin tuaj aftësinë për t’u mahnitur e për ta adhuruar”.
Më pas, duke iu drejtuar përfaqësuesve të Lëvizjeve të ndryshme në Kishë, Benedikti XVI i nxiti të dëshmojnë përshpirtëri të thellë e të jenë të kujdesshëm në marrëdhëniet me botën, duke i formuar mendjet e zemrat sipas shembullit të mësuesve të mëdhenj e të dëshmitarëve të fesë , veprat e të cilëve janë një thesar që nuk duhet të mbetet i mbyllur ndër kuvende e ndër biblioteka. Dituria ungjillore, e lexuar ndër veprat e shenjtorëve të mëdhenj dhe e vërtetuar në jetë, duhet çuar me mençuri, jo në mënyrë foshnjarake, as agresive, në botën e kulturës e të punës, në botën e mediave e të politikës, në botën e jetës familjare e të asaj shoqërore. Zoti është dashuri – theksoi Ati i Shenjtë – përcilljani botës këtë mesazh me pasurinë dhe larminë që di të ngjallë vetë Shpirti Shenjt.

Vizita e Benedikit XVI mbush faqet e para të të gjitha gazetave polake. Por vëmendje të posaçme po tregon për ketë shtegtim edhe shtypi ndërkombëtar, me tituj domethënës “Në gjurmët e Gjon Palit II, të ndërtojmë të sotmen pa u përligjur me të kaluarën”; “Papa gjerman në Aushvic”; “Nuk është thjeshtë shtegtim sentimental”; “Papa shtegton për të përhapur mesazhin e Krishtit”… E nesër Benedikti XVI do të vijojë shtegtimin në gjurmët e Gjon Palit II ndër viset më simbolike: Krakovi, Vadovice, Kalvaria-Zebrudovska… në sa afrohet dita e fundit, e diela, 28 maj, kur do të realizojë vizitën e shumpritur në kampin nazist të shfarosjes në Aushvic, ku ‘do të lutet me të gjithë besimtarët, që plagët e shekullit të kaluar të shërohen me mjekimin, të cilin Zoti i mirë na e tregon duke na bërë thirrje për falje të anasjelltë e na e dhuron në misterin e mëshirës së tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.