2006-05-25 18:22:00

Lajme shoqërore-politike: 25 maj


Ndërroi jetë dje në Kinë kryeipeshkëvi i Ksianit, Imzot Antonio li Duan, një nga katër prelatët kinezë të ftuar nga Benedikti XVI vitin e shkuar për të marrë pjesë në Sinodin e Eukarestisë. I nderuar dhe i çmuar nga të gjithë, Imzot Li njihet si rindërtuesi i Kishës së Ksianit pas shkatërrimeve të revolucionit kulturor kinez. Sa qe gjallë Imzot Li u arrestua dhe u mor në pyetje disa herë nga policia e madje vuajti edhe dënime me burg për periudha të gjata.


“Mjekët pa kufi” të zonës perëndimore të Sudanit dhanë sot kushtrimin se “një krizë e vërtetë për mungesë ushqimesh po kërcënon të evakuarit e Darfurit”, si pasojë e uljes së sasisë së ndihmave ushqimore për popullatën. Ajo çka e vështirëson më tepër gjendjen është vazhdimi i dhunës në jug të vendit sadoqë është nënshkruar një marrëveshje paqeje.


“Afrika po përjeton shndërrime rrënjësore politike. Edhe pse ka konflikte shkatërrimtare, numri i tyre është zvogëluar dhe qeveri demokratike dhe paqësore po hedhin rrënjë në gjithnjë e më shumë vende”. Me këto fjalë sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan përshëndeti “Ditën e Afrikës” për vitin 2006, që u mbajt dje në Nju Jork.


Ndërsa duke folur për Ditën ndërkombëtare të Paqëruajtësve, që u mbajt sot po në Nju Jork Kofi, Anan tha se: “Operacionet paqëruajtëse të Kombeve të Bashkuara janë gjithmonë e më tepër të ndërlikuara dhe shumëpërmasëshe. Nuk mjaftohen vetëm me monitorimin e paqës por kanë madje edhe detyra të tilla si ripërtëritjen e shteteve që kanë kaluar kolapse.”


Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit të Shqipërisë njoftoi sot se kjo ministri i përmbahet programit të shpallur të qeverisë Berisha për liberalizimin e tregut të telefonisë së lëvizëshme. Deklarata erdhi si përgjigje ndaj skandalit, bërë publik nga disa gazeta shqiptare, se tarifat celulare në Shqipëri janë pesëfish më të larta se në gjithë Ballkanin.


Duke folur sot në Prishtinë për statusin e Kosovës, gjenerali amerikan Uesli Klark, ish-komandant i trupave të NATO-së në Kosovë, tha se brenda pak muajsh ky vend do të fitojë pavarësinë dhe se e pret një e ardhme e ndritëshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.