2006-05-25 19:38:19

Ja argumentet kryesore të programit të 25 majit: këtu mund të ndiqni emisionin e plotë


Papa Benedikti XVI filloi sot vizitën e tij apostolike në Poloni, në tokën e Gjon Palit II. Vizita e dytë ndërkombëtare e Papës Racinger — rast i volitshëm për t’i përforcuar besimtarët e krishterë në fé.


Në ditën e parë të vizitës së tij në Poloni, Papa u prit nga mijëra e mijëra besimtarë në festë në Varshavë, ku takoi autoritetet e larta shtetërore e kishtare të vendit. Pastaj në katedralen e kryeqytetit Ati i Shenjtë zhvilloi një takim me meshtarët, gjatë të cilit trajtoi sfidat e mëdha baritore që shqetësojnë kishën polake. “Nga meshtarët kërkohet të jenë ekspertë të takimit të njeriut me Zotin dhe jo specialistë të ekonomisë apo të politikës.”


Ndërsa sot pasdite në kishën luterane të Trinisë Shenjte, Papa Racinger u lut së bashku me delegatët e kishave të ndryshme kristiane e të bashkësive kishtare jokatolike. Në fjalimin e tij Papa kërkoi një shtytje të re në udhën e ekumenizmit e të përforcimit të bashkimit në Krishtin.


Në shenj respekti për Papën, në të gjitha kafenetë e Varshavës, tregtohen vetëm pije joalkoolike, ndërsa një pjesë e mirë e bareve ka parapëlqyer t’i mbajë qepenat e ulura.


Nesër në ditën e dytë të vizitës, Papa do të kremtojë në Varshavë Meshën Shenjte, për të vijuar pasdite shtegtimin në shenjtëroren e Zojës së Bekuar të Jasna Gorës.


Udhëtimi i Papës në Poloni do të mbyllet të dielën pasdite me vizitën e Tij në kampin e Aushvicit.


“Mjekët pakufi” denoncojnë rrezikun e krizës humanitare në Darfur, si pasojë e mungesës së ushqimeve për të evakuarit.


Kisha kineze humbi kryeipeshkvin e Ksianit, Li Duanin, njeriun e dialogut që gjithmonë mbrojti lirinë fetare në Kinë.


Edhe sot në Irak pati shumë atentate që shkaktuan viktima. Ndër to u plagos edhe një funksionar i qeverisë së Bagdadit.


Në Somali, pas dy javë paqeje, shpërtheu përsëri lufta ndërmjet trupave të shkollave kuranike, që përpiqen për imponimin e sherijatit dhe forcave qeveritare. Ka mbi 30 të vdekur dhe shumë të plagosur. Civilët po braktisin gjithnjë e më tepër kryeqytetin Mogadishu.


Burimet palestineze pohojnë se Hamasi pranoi që presidenti Abu Mazen të udhëheqë negociatat me Izraelin si Autoritet Kombëtar i Palestinës dhe të administrojë financat e vendit.


Në Mal të Zi opozita unioniste luajti sot pasdite kartën e vet të fundit duke bërë apel kundër rezultateve të referendumit që të dielën sanksionoi ndarjen e Malit të Zi nga Serbia, pjesa e fundit e mozaikut të ish-Jugosllavisë. Pretendimet e opozitës u vlerësuan nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian Lajçak si krejtësisht joserioze e të pabaza.







All the contents on this site are copyrighted ©.