( 24. 05. 06 R. V. ) Kjo e kremte nis të përkujtohet që në kohën e Papës së madh marian
e dominikan, Piut V (1566-1572). Papa i kërkoi Zojës së Bekuar ndihmë për ushtritë
dhe fatet e Perëndimit e të Krishterimit, kërcënuar prej shekujsh nga turqit, që tashmë
kishin arritur në portat e Vjenës. Ishte tetori i vitit 1571. E pikërisht më 7 tetor
të këtij viti, nisi beteja e madhe detare e koalicionit të botës së krishterë kundër
flotës turke. Në sa flota turke shpartallohej, duke u mënjanuar kështu rreziku i tmerrshëm
i shtrirjes së pushtimit otoman mbi vise të tjera të krishtera, Papa pa në vegim se
fitorja ishte siguruar me ndërmjetësinë e Zojës së Bekuar. Prandaj, në shenjë mirënjohjeje,
urdhëroi që ndër litani të shtohej edhe thirrja : “Mari, ndihma e të krishterëve,
lutu për ne!”. Prej këndej, edhe titulli “Zoja ndihmëtare”. Një fitore tjetër e
madhe, ajo e Vjenës, në vitin 1683, bëri që devocioni i Zojës nën titullin “Auxilium
Christianorum”, të përhapej në Austri, në Gjermani e në Itali. Piu VII e caktoi festën
e Zojës Ndihmëtare më 24 maj. Shenjti që pati më shumë devocion në Zojën Ndihmëtare,
qe Shën Gjon Bosko, i cili u bë apostull i Saj, së bashku me bijtë e bijat e veta,
salezianët e salezianet, që për këtë arsye quhen Bijtë e Zojës Ndihmëtare. Për
nder të Zojës Ndihmëtare, krishterimi ndërtoi tempuj madhështorë në vise të ndryshme,
ndërmjet të cilëve dallohen katedralja e Spoletos edhe e Torinos në Itali.