2006-05-24 18:40:09

Në audiencën e përgjithshme, Benedikti XVI ia besoi lutjeve të besimtarëve shtegtimin e tij në Poloni, një ditë para nisjes për në Varshavë


( 24. 05. 06 R. V. ) RealAudioMP3 Ecja në udhën e fesë nuk është marshim triumfal: Benedikti XVI ia beson lutjeve të besimtarëve shtegtimin e tij në Poloni, një ditë para se të niset për në atdheun e Gjon Palit II.
Papa ia besoi mijëra besimtarëve, mbledhur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme - vizitën apostolike në Poloni, një ditë para se të niset në drejtim të Varshavës. Është shtegtimi i tij i dytë jashtë Italisë, pas atij në Këln, në gushtin e kaluar për të kremtuar Ditën botërore të Rinisë. Kjo vizitë, të cilën Papa e ka posaçërisht për zemër, do të zhvillohet me moton: “Qëndroni të fortë në fe!”.
Me zërin që i dridhej nga emocioni, Benedikti XVI kujtoi se nesër do të jetë në atdheun e të dashurit, Gjon Palit II, ku do të shkelë ndër viset e misionit të tij meshtarak e ipeshkvnor, duke realizuar kështu, me ndihmë të Zotit, një dëshirë që e ka prej kohe në zemër. Më pas u kërkoi të gjithë besimtarëve lutje të posaçme dhe ia besoi shtegtimin Zojës së Bekuar, që e nderon aq shumë Polonia:
“Ajo i drejtoftë hapat e mi, që ta përforcoj në fe bashkësinë e dashur katolike polake e t’i jap zemër për të përballuar sfidat e sotme, me një aksion energjik ungjillëzues. Maria i sjelltë këtij kombi një pranverë të re feje e përparimi shoqëror, duke e ruajtur përherë të gjallë kujtimin e Paraardhësit tim të madh”.
E turma, në shenjë miratimi, iu përgjigj Papës me duartrokitje të gjata: 35 mijë shtegtarë, ndërmjet të cilëve, dymijë polakë, të ardhur nga 21 vende të ndryshme, ishin sot të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit për të ndjekur katekizmin e Atit të Shenjtë, përqëndruar tek figura e Shën Pjetrit, Apostullit që i kishte premtuar Krishtit besnikëri absolute e që, megjithatë, provoi shijen e hidhur dhe poshtërimin e mohimit. Kështu edhe Shën Pjetrit iu desh të mësonte se s’kishte pikë vlere, ashtu si çdo mëkatar që beson. Qysh nga kjo ditë Pjetri e ndoqi Mjeshtrin me vetëdijen e ligështisë së tij: por kjo vetëdije - vijoi Papa – nuk e bëri të humbasë guximin. Ai e dinte se mund të mbështetej tek Krishti i Ngjallur, të cilin e kishte gjithnjë pranë:
“Shkolla e fesë për të gjithë ne nuk është marshim triumfal, por udhë e shtruar me vuajtje e dashuri, me prova e besnikëri, që duhen jetuar ditë për ditë”. 







All the contents on this site are copyrighted ©.