2006-05-24 18:43:38

Nesër nis vizita e Benediktit XVI në Poloni, në kujtim të Gjon Palit II


( 24. 05. 06 ) R. V.) RealAudioMP3 Polonia është në pritje: nesër Benedikti XVI do të jetë në Varshavë, për të vijuar pastaj shtegtimin në vendet e dashura për Gjon Palin II.
Siç e kujtoi vetë në audiencën e përgjithshme, nesër Papa Racinger nis shtegtimin e tij apostolik në Poloni, i dyti i papnisë së tij, por i pari që e ka zgjedhur personalisht, duke pasur parasysh faktin se Dita Botërore e Rinisë në Këln, ku Papa ishte i pranishëm vitin e kaluar, qe programuar nga Gjon Pali II.
Benedikti XVI do të niset nesër nga Fiumicino në orën 8. 40, për të arritur në Varshavë rreth orës 11. 00. Ditën e parë, sipas parashikimit, Ati i Shenjtë do të takohet me klerin në katedralen e Shën Gjonit, ndërsa pasdite, pas vizitës së mirësjelljes tek presidenti polak Leh Kaçinski, do të marrë pjesë në takimin ekumenik, që do të mbahet në Kishën e Trinisë Shenjte.
Etapat kryesore të këtij shtegtimi janë Krakovia, Vadovica, Çestokova e, ditën e fundit, të dielë, më 28 maj, vizita e shumpritur në kampin nazist të shfarosjes në Aushvic.
Të ndjekin shërbimin e të dërguarit të radios sonë në Poloni, Sergjio Çentofantit:
“Benedikti XVI vjen në Poloni për të nderuar kujtimin e parardhësit të tij të dashur, Gjon Palit II e për t’i përforcuar të krishterët në fe, përballë sfidave të reja që i presin në këtë vend: gjatë vitit të parë të papnisë së tij, Papa Racinger e ka kujtuar vazhdimisht Papën Vojtila, me të cilin e lidhte jo vetëm bashkëpunimi i ngushtë, por edhe miqësia e përzemërt:
“Hapjani, madje në dy kanatat, portat Krishtit! Këtë thirrje të paharrueshme, që jehon brënda meje, si të ishte bërë dje, Gjon Pali II e mishëroi me gjithë vetveten e me gjithë misionin e tij si pasardhës i Pjetrit… Duke vizituar pothuajse të gjitha vendet kryesore të botës, ai e kumtoi përherë e kudo Krishtin, duke ia propozuar të gjithëve, si përgjigje për përmbushjen e dëshirave të njeriut: dëshirës për liri, për drejtësi e paqe. Krishti është shpërblyesi i njeriut – përsëriste vazhdimisht – është i vetmi Shëlbues i çdo njeriu dhe i gjithë gjinisë njerëzore”.
E Benedikti XVI, dy vjet pas hyrjes së Polonisë në Bashkimin Evropian, u kërkon polakëve ta shfrytëzojnë sa më mirë trashëgiminë e Gjon Palit II, duke u impenjuar ta ungjillëzojnë kulturën përballë shekullarizmit që vijon të përhapet me shpejtësi:
“Në kohët, ndër të cilat – siç ka shkruar Gjon Pali II – kultura evropiane të krijon përshtypjen e një ‘apostazie të heshtur’ nga ana e njeriut të ngopur, që jeton sikur Zoti të mos ekzistonte, Kisha nuk pushon s’i kumtuari botës se Jezu Krishti është shpresa e saj. Një nga detyrat më të rëndësishme, që dalin nga procesi i integrimit evropian, është nxitja e guximshme për të ruajtur identitetin katolik e kombëtar të polakëve”.
Në këtë mision roli i laikëve është i pazevendësueshëm: këtë theksoi Benedikti XVI gjatë takimit me ipeshkvijtë polakë, të cilët i priti vitin e kaluar në vizitë ‘ad Limina’. Polonia, që prej 15 vjetësh, është në zonën e demokracive, falë shembjes së komunizmit që, nuk duhet harruar, u arrit edhe përmes veprimtarisë guximtare të Solidarnosh. Gjatë këtyre viteve kaloi nga ekonomia e planifikuar në atë të tregut të lirë, me të gjitha problemet e pashmangëshme që e shoqërojnë një kalim të kësaj natyre: sot papunësia në vend prek 18% të popullsisë, emigrimi është gjithnjë më i shpeshtë, ndërsa përqindja e zhvillimit ekonomik, nga më të lartat në Evropën Lindore. Papa, duke u folur ipeshkvijve polakë, i ftoi katolikët të marrin pjesë në jetën politike të vendit, duke dhënë kontributin e tyre të veçantë në zhvillimin e atdheut:
“Dialogu i udhëhequr nga laikati katolik për zgjidhjen e problemeve politike, do të jetë i frytshëm e do t’i shërbejë të mirës së përbashkët, në se në bazë të tij do të jenë: dashuria për të vërtetën, shpirti i shërbimit dhe solidariteti në impenjimin për të mirën e përbashkët. Ju nxis, të dashur vëllezër, ta mbështesni shërbimin e laikatit, duke respektuar autonominë e drejtë poltike”.
Ndërmjet etapave të shtegtimit të Benediktit XVI janë edhe Shenjtëroret e mëdha të Polonisë: Shenjtërorja e Çestokovës, zemra shpirtërore e vendit, e njohur për figuren e mrekullueshme të Zojës së Zeshkët (që sipas gojëdhënës është pikturuar nga Shën Luka ungjilltar), Shenjtëroren mariane të Kalvaria-Zebrudovskas, që njihet për udhën e Kryqit, 15 kilometra e gjatë, ku Karol Vojtilës i pëlqente shumë të shtegtonte e, së fundi, shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore në Lagievniki, ku Papa do të lutet para relikeve të Shenjtores Faustina Kovalska, rregulltare e përvuajtur polake, të cilës Zoti i zbuloi misterin e mëshirës hyjnore, duke i ftuar të gjithë të luten me fjalët: “Jezus, besoj në Ty!”.
Nesër Papa do të arrijë në tokën e Kopernikut që i hapi botës horizonte të reja; të Shopenit, që i dhuroi tinguj të ri; në atdheun e Mari Sklodovska-Kyri-së, gruas së famshme, dy herë çmim Nobel në fizikë e kimi, me të cilën fillojnë studimet në fushën e radioaktivitetit; të Henrik Sinkjeviç, Çmim Nobel për letërsinë 1905 me romanin e famshëm “Quo vadis ”, të lirikut të madh Adam Miçkjeviç, për të mos kujtuar figura të tjera, autorë veprash të mëdha në fusha të ndryshme të dijes, që pasurojnë thesarin e kulturës botërore.
Por, mbi të gjitha, toka polake, thellësisht e krishterë që në vitin e largët 966, është edhe tokë e pasur me martirë, duke nisur nga Shën Stanislau, i cili në vitin 1000 guxoi t’i kundërvihej sundimtarëve, duke dëshmuar fenë e të vërtetën, guxim që e pagoi me jetë. E është edhe tokë që i dhuroi Kishës katolike e mbarë botës, Karol Vojtilën, Papën e madh Gjon Palin II.
Benedikti XVI vjen në Poloni për t’u thënë polakëve dhe të gjithë besimtarëve: “Qëndroni të fortë në fe!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.