2006-05-23 17:33:43

Polonia është në kulmin e përgatitjeve për të pritur Papën Benedikti XVI, që do të niset për në atdheun e Gjon Palit II pas dy ditësh


( 23. 05. 06 R. V. ) Polonia e pret me krahë hapur Papën, që do të arrijë më 25 maj. Në një farë mënyre, mund ta konsiderojmë si shtegtimin e parë ndërkombëtar të Benediktit XVI, duke pasur parasysh faktin se Dita Botërore e Rinisë në Këln, ku Papa ishte i pranishëm vitin e kaluar, qe programuar nga Gjon Pali II. E kjo vizitë është pikërisht shenjë e nderimit të thellë të Papës gjerman për Paraardhësin e tij të dashur polak. Benedikti XVI do ta nisë shtegtimin e tij nga Varshava, duke shkelur më pas në të gjitha vendet e dashura për Papën Vojtila: në qytetin e tij të lindjes, Vadovice; në Krakovi, qytet i studimeve të tij klandestine e më pas kryedioqezë e tij si kardinal. Benedikti XVI do të shkojë edhe në shenjtëroret mariane të Jasna Gorës e të Kalvaries si dhe në shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore, zemra në të cilat pulson jeta shpirtërore e Polonisë.
Etapa e fundit e shtegtimit do të jetë ajo e 28 majit, kur Papa do të shkojë në kampin nazist të shfarosjes në Aushvic, të cilin Gjon Pali II e pati vizituar në vitin 1979, gjatë së parës nga tetë vizitat në Poloni. Sot po ndalemi pikërisht tek kjo ngjarje, që është quajtur historike: për herë të parë Papa gjerman nderon viktimat e Olokaustit në një kamp përqëndrimi nazist. Shërbim i të dërguarit të radios sonë në Poloni, Sergio Centofanti:
“Ich neige mein Haupt vor all denen, die diese Manifestation des mysterium iniquitatis… “.
“Ul kokën përpara të gjithë atyre që e provuan këtë shfaqje të misterit të mbrapshtisë”.
Benedikti XVI bëri të vetat, në Sinagogën e Këlnit, një vit më parë, fjalët e Gjon Palit II. Më 28 maj, në orën 5 pasdite, Ati i Shenjtë do të ndalet para portës së Aushvicit. Do ta kapërcejë në këmbë pragun, ku do ta presin disa ish-të burgosur, që shpëtuan mrekullisht nga shfarosja, pikërisht në atë vend ku sot i flet botës kujtesa historike. Do të ndalohet pastaj pranë Murit të vdekjes, ku janë pushkatuar mijëra të burgosur. E menjëherë pas, do të shkojë tek Blloku 11: do të hyjë në qelinë ku u mbyt Shën Maksimilian Kolbe, rregulltari françeskan që zuri vullnetarisht vendin e një kryetari familjeje në bunkerin e urisë. Kaloi aty dy javë rresht pa bukë e pa ujë, duke u dhënë zemër gjithë të dënuarve të tjerë e duke kënduar himne në nderim të Nënës së Zotit. Nazistët e mbytën duke i injektuar acid fenik. Ishte data 14 gusht e vitit 1941. “Vetëm dashuria krijon”, thoshte Atë Kolbe.
Papa do të vizitojë edhe qendrën e dialogut e të lutjes, një institucion katolik, ngritur në afërsi të kampit, në bashkëpunim me disa shoqata hebraike. Pastaj, duke përshkuar një distancë prej tri kilometrash, do të vizitojë kampin e Birkenaut, që njihet si Aushvici n. 2, ku nazistët vrisnin shumicën e të burgosurve. Benedikti XVI do të ndalohet para Monumentit Ndërkombëtar, ku janë ngritur 22 lapidare të cilat, në gjuhë të ndryshme, kujtojnë viktimat e Aushvic-Birkenaut. Ky ndoshta është edhe një nga çastet më prekëse të këtij shtegtimi apostolik: Papa do të bëjë thirrje për paqen në gjuhën gjermane. Ndërsa fjalimin e rastit do ta shqiptojë në gjuhën italiane.
Gjatë vitit të parë të papnisë, Benedikti XVI ka folur disa herë për Shoah apo shfarosjen në masë të hebrenjve nga nazistët. “Në kohët më të errëta të historisë gjermane dhe evropiane – ka thënë Papa – ideologjia e çmendur naziste, me burim neopagan, deshi të shfaroste hebraizmin evropian:
Është fjala për krime rrënqethëse, që shprehin qartë gjithë ligësinë e ideologjisë naziste… rikujtimi i këtyre tmerreve nuk mund të mos ngjallë në shpirtin e çdo njeriu të ndershëm impenjimin për të bërë ç’është e mundur që të mos përsëriten kurrë më ngjarje kaq barbare e çnjerëzore”.
Me kalimin e kohës - ka nënvizuar Papa – kujtimet nuk duhet të zbehen; përkundrazi, duhet të bëhen mësim për ne e për breznitë që do të vijnë:
“E si mund të mos e lexojmë në dritën e planit të Provanisë hyjnore faktin që në katedrën e Pjetrit, Papën polak e pasoi një nënshtetas i kësaj toke, i Gjermanisë, ku regjimi nazist mundi të përhapet me shpejtësi, duke sulmuar pastaj kombet fqinje, ndërmjet të cilave, posaçërisht Poloninë? Të dy këtyre papëve në rini të tyre, ndonëse në fronte të kundërta e në situata të ndryshme, iu desh të njihnin mizoritë e Luftës II Botërore dhe dhunën e çmendur të ushtruar nga njerëzit kundër njerëzve, nga popujt kundër popujve”.
Papa kujtoi edhe letrën e pajtimit të vitit 1966, që ipeshkvijtë polakë ia dorëzuan ipeshkvijve gjermanë, në të cilën shkruhej: “Falim e kërkojmë falje”: “Të falësh – kujtonte i dashuri Gjon Pali II – nuk do të thotë të harrosh, dhe shtonte se kujtesa është ligj i historisë, ndërsa falja është forca e Zotit, forca e Krishtit që vepron ndër ngjarjet e njerëzve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.