2006-05-23 17:49:56

Lajme shoqërore-politike 23 maj


RealAudioMP3 Përcaktimi i kufijve izraelito-palestinezë, plani për boshatisjen e qendrave të banuara nga kolonët hebre në territoret e pushtuara dhe çështja bërthamore iraniane ishin në qendër të takimit ndërmjet kryeministrit izraelit Ehud Olmert dhe presidentit amerikan Xhorxh Bush. Ndërkaq kryeministri palestinez Hanijeh deklaroi se Hamasi është i gatshëm të ofrojë një armëpushim nëse Izraeli tërhiqet në kufijtë e 1967-ës.


Shpërthimi i një bombe kundër një patrulle policie në Bagdad shkaktoi pesë të vdekur. Ndërsa në veri të kryeqytetit një grup i armatosur vrau tre punëtorë. Megjithëse situata në vend nuk është e qetë, kryeministri Al Maliki deklaroi se trupat e huaja do të fillojnë të largohen nga Iraku duke u nisur nga muaji i ardhshëm.


Një mjek, dy infermierë dhe një shofer mbetën të vrarë në juglindje të Kabulit nga një bombë e talebanëve. Gjithnjë dje talebanët sulmuan një autokolonë qeveritare në jug të Afganistanit duke vrarë tre policë. Burimet lokale njoftojnë se, prej fillimit të sulmeve të ekstremistëve javën e kaluar e deri tani, ka patur rreth 300 të vrarë nga talebanët, civilët dhe ushtarët ndërkombëtarë.


Ministri i brendshëm egjiptian doli sot me një deklaratë në të cilët thuhet se kamikazet që me 24 prillin e kaluar vranë 23 vetë, ishin stërvitur nga terroristët palestinezë në Rripin e Gazës.


Dy avionë luftarakë, një ri grek dhe tjetri turk u përplasën me njëri-tjetrin ndërsa fluturonin mbi ishullin grek Karpathos. Autoritetet turke njoftuan se njëri nga dy pilotët turq është gjallë dhe është shpëtuar nga një anije panameze. Aksidenti ndodhi pas dhunimit të zonës ajrore greke nga ana e aeroplanit turk.







All the contents on this site are copyrighted ©.