2006-05-20 13:08:21

Rubrika “Shenjtorët e javës”


( 21. 05. 06 R. V. ) Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën VI të Pashkëve e përkujtoi Shën Kristoforin Magalanes, meshtar dhe shokët e tij martirë në Meksikë dhe Shën Eugjenin Mazenod, ipeshkëv i Marsejës, themelues i Oblatëve të Zojës së Papërlyer.

Shën Rita nga Kashia, rregulltare agostiniane dhe Shën Julia, virgjër e martire festa e të cilave do të kremtohet nesër, na kujtojnë se i krishteri është i thirrur të jetë dëshmitar i dashurisë së Krishtit. Për t’i qëndruar besnik kësaj thirrjeje, duhet të kërkojë dritë e forcë nga Shpirti Shenjt, që është dashuria e Birit dhe e Atit.

Të martën e ardhshme do të përkujtohet Shën Gjon Batist de Rosi, meshtar romak. Liturgjia e festës së Shenjtit na kujton se Jezusi është gjithmonë me ne: na e ka premtuar ai vetë. Edhe pse nuk e shohim, Shpirti i Tij Shenjt e gjallëron fenë tonë, na forcon, na ndriçon e na ngushëllon.
 
Zoja Ndihmëtare, që Kisha do ta kremtojë të mërkurën e ardhshme, na kujton se Shpirti Shenjt, Shpirt i vërtetësisë dhe i dashurisë, i prin Kishës në rrugën drejt Krishtit e Atit të tij qiellor.

Të enjten e ardhshme Kisha katolike do të kremtojë një nga solemnitetet e mëdha të Krishtit: të Shëlbuemit, që rrezaton mbi gjithë universin dritën e Zotit të ngjitur në qiell e na kujton se shëlbimi u përket të gjithë popujve.

Të premten, pastaj, do të përkujtohen Shën Filip Neri, themelues i Kongregatës së Priftërinjve të Oratorit; Shën Eleuteri papë e Shën Simetri, martir, që na kujtojnë këngën e Psalmistit: “Vetëm në Zotin pushon shpirti im”. E Jezusi na siguron: “Lum ata që vuajnë, sepse do të ngushëllohen”.

Të shtunën do të kremtohet Shën Agostini, kryeipeshkëv i Kanterbërit. Duke na kujtuar se Ati na do e na krijon mundësinë të nxjerrim prej tij hiret që i kërkojmë në emër të Krishtit, na fton të bashkojmë zërin në himnin e lavdit që ia këndojnë Zotit mbarë popujt e tokës.
  







All the contents on this site are copyrighted ©.