Në sallat e kinemasë ka nisur të shfaqet filmi tepër i diskutueshëm “Kodi da Vinçi”,
i cili u prit ftohtë nga kritika në Festivalin e Kanës. Me ne, Elizabeta Lev, historiane
arti
Doli dje në sallat e kinemasë të të gjithë botës, me një reklamë të bujshme,
filmi “Kodi da Vinçi”, i frymëzuar besnikërisht nga romani i Den Braunit. Filmi, që
ka kushtuar 125 milionë dollarë, është pritur me ftohtësi dhe ironi në Festivalin
e Kanës. Ndërmjet falsifikimeve më të dukshme që përmban romani, e edhe filmi, spikat
falsifikimi i vetë figurës së Leonardo da Vinçit. Historiania e artit, Elizabeta
Lev, na shpjegon, në mikrofonin e radios sonë, falsifikimet e Den Braun për figurën
e Da Vinçit:
Përgjigje: - Dy gjëra më bëjnë përshtypje: së pari, mungesa
e plotë e kërkimit shkencor. Të gjitha interpretimet dhe shpjegimet janë dhënë prej
një njeriu që memëzi ka lexuar ndonjë biografi dosido të Leonardos. Por ama këto gabime
themelore e shtrembërojnë domethënien e pikturave të Mjeshtrit të madh, në një kohë
kur kemi të bëjmë me një kuptim të thellë fetar, tepër të rëndësishëm për vetë Leonardon,
por edhe për njerëzit që e kanë porositur veprën. Sipas disa interpretimeve që bien
në sy në veprën ‘Kodi da Vinçi’, historia e madhe e jetës dhe e artit të Gjeniut,
kthehet në një histori tëpër të zbehtë, gati-gati mjerane. Më vjen tepër keq të shikoj
një artist si Leonardon, të katandisur në makinë që përdoret për t’i bërë reklamë
një libri të klasit të tretë, madje të katërt.
Pyetje: - Një tjetër nga
aspektet e romanit është hamendja, sipas së cilës Leonardo ka mbajtur qëndrim armiqësor
ndaj Kishës….
Përgjegje: - Autori luan me shumë probleme të viteve
tona. Të thuash se Leonardo ishte homoseksual e, si i tillë, kundër Kishës, kjo është
një sjellje që mund të ketë një farë kuptimi në ditët tona, në vitin 2006. Por s’ka
të bëjë fare me mendësinë e viteve 1500. Autori përpiqet me të gjitha mënyrat të krijojë
idenë se Kisha duhet të na përshtatet neve, në sa Leonardos as nëpër mend nuk duhet
t’i ketë shkuar që Kisha t’i përshtatej atij.
Pyetje: - Atëherë mund të
themi se kemi të bëjmë me një element antikatolik?
Përgjigje: -
Në këtë vepër ka manipulim, dmth është menduar se po të prekej ky tast, më pas do
të besohej gjithçka do të thuhej për Leonardon.
Pyetje: - Nga katolikët
që e kanë lexuar këtë libër në mënyrë të përciptë, ndoshta ka edhe të atillë që e
kanë pëlqyer.
Përgjigje: - Kjo shihet tepër në
Amerikë, ku ka lindur libri e ku edhe ka pasur më shumë sukses. Shumë katolikë sot
kanë ide tepër moderne për Kishën, mendojnë se Kisha duhet t’u përshtatet atyre, dmth
nuk duhet t’i konsiderojë mëkate, ata që sipas Kishës janë vërtetë mëkate. Në këtë
pikë Braun arrin kulmin e suksesit, aq sa t’i shtyjë shumë katolikë, natyrisht vetëm
për emër, të thonë: “Edhe Leonardo mendonte kështu, edhe Leonardo ishte si unë!”.
Po Leonardo nuk ishte kështu, as në jetën personale. Ai i përkiste artit të vet. Dëshironte
të krijonte një art të ri, por jo në kuptimin e ndryshimit të historisë. Me artin
e tij ai nuk desh ta ndryshojë, por ta psurojë historinë.