2006-05-19 18:56:39

Polemika në mbarë botën për daljen e filmit të diskutueshëm “Kodi da Vinçi” : intervistë me Imzot Angelo Amaton


(19. 05. 06 R. V.) “Modat editoriale dhe kinematografike” si këto të ‘Kodit da Vinçi’, janë rast i përshtatshëm për të dhënë një informacion të dendur, duke i ndihmuar njerëzit t’i njohin më mirë të vërtetat historike të krishterimit. Kështu u shpreh kardinali Kamilo Ruini në fjalën e hapjes të Asamblesë së Përgjithshme të Konferencës Ipeshkvnore Italiane. Për Kardinalin, fantazia dhe falsifikimet janë përdorur jo vetëm për qëllime fitimi, por edhe për të vënë në dyshim, pa kurrfarë baze, vetë zemrën e fesë sonë, duke filluar nga kryqi i Krishtit. Prirja e njerëzve për t’u besuar më shumë përrallave, sesa së vërtetës, nuk është as e re as e panjohur: e gjejmë që në Besëlidhjen e Re, por në fund të fundit – pohoi kardinali Ruini – e vërteta ngadhënjen mbi gënjeshtrën, prandaj njerëzit sot kanë etje të madhe për të vërtetën.
Por, lidhur me këtë, të ndjekim komentin e sekretarit të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kryeipeshkvit Angelo Amato, intervistuar nga Radio Vatikani:

Pyetje: - Imzot Amato, Kodi da Vinçi, Ungjilli sipas Judës…. a nuk na shtyjnë të mendojmë se këto sulme kundër të vërtetave themelore historike të krishtërimit janë pjesë e një strategjie kundër krishtërimit?

Përgjigje: - Është fakt se sot Papa mund të merret nëpër gojë, pa frikën e ndeshkimit, siç po ndodh në Gjermani, me një film vizatimor. Mund edhe të falsifikohet sipas qejfit historia e krishterimit, pa kurrfarë, s’po them respekti fetar, por etike fillestare historike. Prandaj gjithçka përmbajnë librat që përmendët, duket se është vërtetë pa kurrfarë baze reale. Prej këndej mund të mendojmë se kemi të bëjmë me shpifje kundër Kishës me qëllime diskredituese.

Pyetje: - Për ç’arsye?

 
Përgjigje: - Besoj se Kisha sot është e vetmja që e mbron qartë e shprehimisht jetën njerëzore që nga lindja deri në perëndim, e vetmja që mbron familjen, e vetmja që flet qartë për temat e etikës seksuale dhe të bioetikës, e vetmja që ripropozon vlerën e Dhjetë Urdhërimeve.

Pyetje: - Ç’mund të themi për Kodin da Vinçi?

 
Përgjigje: - Shiko, gjithë libri është shtrembërim fodull i së vërtetës. Për shembull, të mohosh hyjninë e Jezusit e të pohosh se kjo është shpikje e Konçilit të Nikesë, që u mblodh në vitin 325 pas Krishtit, do të thotë thjeshtë të falsifikosh historinë. Ndërsa historia tregon se rreth viteve 40 pas Krishtit, Kisha këndonte kështu në himnin e famshëm, që përfshihet në Letrën e Shën Palit drejtuar Filipianëve: “Jezu Krishti, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Hyjin nuk e çmoi si vizar që i përkiste vetëm atij.

Pyetje: - Ç’ bën sot Kisha për të mbrojtur të vërtetat e fesë?

Përgjigje: - Vijon veprën e vet në mbrojtje të Doktrinës, përmes magjisterit të Papës e të ipeshkvijve. E sot, përmes Kongregatës për Doktrinën e Fesë, vijon ta mbrojë popullin e krishterë edhe duke korrigjuar hamendjet teologjike të gabuara.

Pyetje: - Atëherë a mund të themi se ju e keni ndër mend ta hidhni zyrtarisht poshtë Kodin da Vinçi?

 
Përgjigje: - Nuk e besoj, sepse libri, sipas meje, nuk e meriton, duke qenë se i mungon pikërisht kultura historike dhe biblike, por Kishat e bashkësitë e krishtera duhet të flasin me zë më të lartë, më mirë të themi, duhet të bërtasin nga çatitë, siç thotë Ungjilli, për ta frenuar mashtrimin, që për fat të keq i përdor të gjitha armët e fuqishme mediatike për t’i bindur masat e njerëzve.







All the contents on this site are copyrighted ©.