Liturgjia e Fjalës së Zotit e të Dielës VI të Pashkëve “B”: 'nëse Zoti është dashuri,
atëherë Zoti zbulohet e njihet duke dashur'
(20.05.2006.R.V.)
Vp 10,25-27.34-35.44-48; 1 Gjn 4,7-10; Gjn 15,9-17) Një përshëndetje të përzemërt
të gjithë dëgjuesve të Radio Vatikanit kudo që ndodhen nga …. Ja përsëri në takimin
tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të së dielës, kësaj
herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të dielës së 6-të të kohës
kishtare të Pashkëve. Tema qendrore që trajtojnë leximet biblike të kësaj së diele
është dinamizmi i dashurisë së Zotit: një dashuri, e cila nga Ati Qiellor përmes Birit
mbërrin tek çdo njeri, tek besimtarët, të cilët e kanë për detyrë ta mbjellin e përhapin
përrethë tyre. Të gjithë njerëzit, pa kurrfarë dallimi, janë të ftuar në shëlbim,
dmth. të marrin pjesë në këtë dashuri, sepse “Zoti nuk ka preferenca, nuk bën dallime,
por kushdo e do Zotin dhe të afërmin, e në jetën e vet të përditshme e zbaton drejtësinë,
i çfarëdo populli qoftë, ai njeri i pëlqen Zotit dhe Hyji e pranon. Dashuria e
Zotit prodhon gëzim: kjo është thirrja (misioni) tipike e të krishterit që konkretizohet
në impenjimin e ecjes udhës me Krishtin në rrugën e dritës, në fenë e ngjalljes.
Krishti i Gjallë shpall urdhërimin e ri dhe vazhdon të na dhurojë Shpirtin, i cili
na ndihmon të jemi e të bëhemi një zemër e një shpirt i vetëm. Liturgjia e kësaj së
diele na përkujton se ta njohësh, ta pranosh Krishtin e Gjallë domethënë ta duash
e ta pranosh ndër vëllezër, të cilët na porosit t’i duam porsi vetveten. Pra, filli
i kuq i leximeve biblike të kësaj së diele është dashuria. Temat kryesore mund të
përmblidhen në tri fjalë të Shën Gjonit: “Zoti është Dashuri” (1 Gjn 4,8.16) e në
rrjedhojën që na dëfton Shën Pali: “Prandaj nëse unë nuk kam Dashuri, para Zotit jam
një asgjë absolute” (1 Kor 13,2). Në këtë të Diele të gjashtë të Pashkëve, liturgjia
na drejton edhe një herë thirrjen të duam, të besojmë në dashurinë e Zotit për ne
dhe të jetojmë në saje të kësaj dashurie, të bëhemi të aftë për të dhuruar jetën tonë
për vëllezërit. Bibla na kujton se “kushdo që dashuron, ka lindur prej Zotit”. “Ky
është urdhërimi i im – thotë Zoti – të duani njëri tjetërin”. “Prej të gjitha
gjërave njerëzore, dashuria është e vetmja që nuk do shpjegime. Të dashuruarit që
“shpjegohen” janë ata që largohen mes tyre” ( André Frossard). Ne të krishterët
shpesh herë jemi në të njëjtat kushte të Pjetrit (Vp 10,25-27.34-35.44-48): nuk kuptojmë
se dashuria e Zotit nuk mund të përdoret si privilegj; nuk mund të përdoret si krenari
apo si armë: dashuria e Zotit është zjarr që na nxit të shërbejmë, të kërkojmë, të
dhurojmë, të shkrihemi në dashuri për vëllezër e nevojtarë. Kushdo dashuron është
bir i Zotit e Zoti e pranon, thotë Shën Gjoni ( 1Gjn 4,7). E Lumja Nënë Tereza, Gonxhe
Bojaxhiu, thoshte: “Duke jetuar e zbatuar Dashurinë, ndjehet Zoti: gati-gati preket
me dorë”. Eshtë e vërtetë: e vërteta e dëshmuar nga jeta e sa e sa shenjtorëve, dëshmitarë
të një pasurie të pakufishme, që na afron me Zotin e që i bën mirë të afërmit tonë.
Pra,leximet biblike të kësaj së diele na japin përgjigjen se “kush është
Hyji?” dhe “si shfaqet dashuria e Hyjit ndaj nesh?”. E tani të dëgjojmë leximet biblike
të liturgjisë së dielës... . Pastaj komentin e leximeve biblik nga don Mark Shtjefni
i dioqezës së Sapës.. (Programi Shqip Radio Vatikani )