2006-05-19 18:57:16

Lajme shoqërore-politike: 19 maj


“Pakistani nuk stërvitë terroristë dhe nuk i dërgon në Afganistan.” Kjo qe përgjigja e autoriteteve të Pakistanit ndaj akuzave të kryeministrit afgan Hamid Karzai se ky vend është kthyer në bazë të terroristëve talebanë. Dy ditët e shkuara në jug të Afganistanit pati beteja të përgjakshme ndërmjet policisë dhe rebelëve talebanë.


Kryetari i Al Kaedës nuk është më Osama Bin Ladeni. Lajmi sipas të cilit Bin Ladeni ia ka kaluar komandën Mullah Omarit u publikua nga gazeta arabe Al Watan. Gazeta në fjalë citon shërbimet sekrete pakistane, të cilat njoftojnë se Bin Ladeni tashmë luan vetëm një rol simbolik brenda Al Kaedës.


Burime qeveritare izraelite bënë të ditur se pushteti ekzekutiv është i gatshëm të zhbllokojë fondet e Autoritetit Kombëtar Palestinez për të shmangur kolapsin e sistemit shëndetësor. Shtypi izraelian lajmëroi gjithashtu se nisën kontaktet me palestinezët, për të caktuar një takim ndërmjet kryeministrit Ehud Olmert dhe presidentit Abu Mazen.


SHBA-ës duhet të mbyllin të gjitha burgjet sekrete jashtështetit dhe kampin e internimit të Guantanamos në Kubë, sepse përbëjnë shkelje të ligjit ndërkombëtar. Ky është përfundimi i raportit paraqitur nga Komisioni i OKB-së kundër torturës. Ekspertët e pavarur të komisionit u kërkuan gjithashtu SHBA-ës të heqin dorë nga “çdo lloj metode hetimi” që përbën në vetvete torturë ose keqtrajtim.


Qeveria japoneze përgënjeshtroi lajmin botuar nga disa të përditshme se së shpejti do të provojë një raketë me rreze të gjatë, në gjendje të godasë edhe SHBA-ës. Ndërkaq administrata amerikane deklaroi se është e gatshme të nisë bisedime paqëtimi me Korenë e Veriut si edhe të rihapë negociatat për çështjen bërthamore.


Tre të rinj u vranë dhe gjashtë vetë të tjerë u plagosën nga një shkëmbim zjarri ndërmjet dy grupeve, natën e kaluar, në qendër të Shkupit, në Maqedoni. Që të nëntë personat janë shqiptarë. Policia ka filluar hetimet për të gjetur shkaqet dhe përgjegjësit.
Ekipi negociator i Kosovës i ofroi palës serbe dhe OKB-së garanci të plota për trashëgiminë kulturore dhe objektet e kultit, përfshi këtu edhe kishat e manastiret ortodokse serbe.


Duke folur sot para gazetarëve në lidhje me çështjen e pesë kinezëve myslimanë të strehuar në Shqipëri, kryeministri Sali Berisha tha se nuk gjen arsye se pse t’i dëbojë. “Këta zotërinj nuk kanë kryer aktivitet terrorist. Autoritetet kineze janë të mirëpritura të paraqesin dokumentacionin që provon fajësinë e tyre” - shtoi në fund të fjalës së vet kryeministri Berisha.







All the contents on this site are copyrighted ©.