2006-05-18 17:53:40

Paqja është e mundur ndërmjet kombeve që bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët, për mbrojtjen e familjes e të lirisë së besimit - është sinteza e fjalimit të Papës në takimin me ambasadorët e rinj të Indisë, Çadit, Kepit të Blertë, Australisë dhe të Moldavisë


(18.05. 06 R. V.)Paqja është e mundur ndërmjet kombeve, që bashkëpunojnë mbi bazën e politikave të orientuara nga vlerat e mbinatyrshme dhe nga e mira e përbashkët, e jo mbi bazën e interesave ekonomike e të diskriminimit sipas pasurisë apo besojmës. Këtë u tha Papa përfaqësuesve të rinj diplomatikë të Indisë, Çadit, Kepit të Blertë, Australisë dhe Moldavisë pranë Selisë së Shenjtë, të cilët paraqitën sot në Vatikan, letrat kredenciale.
“Një botë e lirë, vëllazërore dhe e ndërvarur, në të cilën vëmendja ndaj njerëzve vihet mbi interesat thjeshtë ekonomike”. Për këtë u foli Papa pesë amasadorëve të rinj pranë Selisë së Shenjtë, të cilët i priti sot paradite në Vatikan për paraqitjen e letrave kredenciale.
Që toka të ketë paqe, nuk mjafton të flitet për stabilitet, ose të sigurohen marrëdhënie normale diplomatike. Duhet parë njeriu me nevojat e tij, që nuk mund të plotësohen kurrë vetëm me një pagë të mjaftueshme, sepse në radhë të parë ka nevojë për vlera të qëndrueshme e, sidomos, për mbrojtjen e lirisë së ndërgjegjes e të fesë. Konfliktet e armatosura në të katër anët e botës dhe mjerimet e ndryshme tregojnë se po të mos i kushtohet vëmendje mirëqenies kolektive – edhe përmes bashkëpunimit ndërmjet shteteve - për planetin nuk mund të ketë horizonte paqeje. Ai që udhëheq një komb – vijoi Papa në fjalimin e përgjithshëm drejtuar ambasadorëve në gjuhën frënge – duhet të jetë largpamës e të mos kufizohet vetëm në kërkesat e çastit. Udhëheqësi nuk duhet të jetë në shërbim të klasave, as të grupeve të caktuara, por duhet t’i shërbejë të mirës së përbashkët të popullsive të çdo vendi dhe të mbarë njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.