2006-05-18 17:51:28

Duke rikujtuar parimet themelore etike, Kisha nuk e cënon karakterin laik të shtetit: këtë theksoi sot Benedikti XVI në fjalimin drejtuar ipeshkvijve italianë


(18.05. 06 R.V.)RealAudioMP3 Në takimin me ipeshkvijtë italianë, të cilët i priti në Vatikan me rastin e asamblesë së përgjithshme të Konferencës së tyre Ipshkvnore, Papa ripohoi se tradita e krishterë është pasuria kryesore e Italisë. Ati i Shenjtë u foli prelatëve për karakterin e shëndoshë laik të shtetit dhe për rrënjët e krishtera të Italisë, por edhe i porositi t’u qëndrojnë gjithnjë pranë meshtarëve të tyre.
Kisha – tha Papa – e dallon me vetëdije atë që i përket Qesarit nga ajo që i përket Zotit, dmth atë që i përket Shtetit nga ajo që i përket Kishës. E duke kujtuar Enciklikën e tij “Deus caritas est”, shpjegoi se Kisha jo vetëm që e njeh dhe e respekton dallimin e autonominë, por edhe gëzohet për këtë, duke e shikuar si progres të madh të njerëzimit dhe si një nga kushtet themelore për vetë lirinë e saj, pa të cilën nuk do të ishte në gjendje ta përmbushte misionin universal të shëlbimit. Por kjo nuk do të thotë – vijoi të kujtonte Papa – se Kisha duhet të heqë dorë nga misioni i saj:
Në të njëjtën kohë e pikërisht në saje të misionit të saj të shëlbimit, Kisha nuk mund të heqë dorë nga detyra për të spastruar arsyen, përmes propozimit të doktrinës së saj shoqërore, argumentuar duke u nisur nga ajo që është në përkim me natyrën e çdo njeriu si dhe për të rizgjuar forcat morale e shpirtërore, me dëshirën për t’i shërbyer kërkesave të vërteta të së mirës”.
Ky arsyetim i Atit të Shenjtë, u pasua nga një reflektim i thellë:
Në rrethanat aktuale, kur rikujtojmë vlerën që kanë për jetën, jo vetëm private, por edhe për atë publike, disa parime themelore etike, të rrënjosura në trashëgiminë e krishterë të Evropës e posaçërisht të Italisë, nuk e cënojmë fare karakterin laik të shtetit, por kontribuojmë për garantimin dhe promovimin e dinjitetit të njeriut dhe për të mirën e përgjithshme të shoqërisë”.
Duke kujtuar takimin kishtar italian të Veronës, në të cilin do të marrë pjesë edhe Papa, Benedikti XVI i ftoi ipeshkvijtë ta jetojnë si një ças bashkimi të të gjithë anëtarëve të Kishës në Itali.
Në vijim Ati i Shenjtë u ndalua posaçërisht tek problemet më të mprehta të Kishës në Itali, duke nisur nga puna baritore me të rinjtë, të cilët duhet ta shikojnë Kishën si një familje të madhe, për të vijuar me lidhjen e ngushtë dhe të përhershme ndërmjet ipeshkvijve dhe meshtarëve të tyre, me kujdesin që duhet treguar në zgjedhjen e kandidatëve për rrugën e meshtarisë dhe në edukimine tyre të vazhdueshëm, gjatë gjithë jetës. Të ngrohta e plot dashuri porositë që Papa u dha ipeshkvijve për meshtarët:
Mos i lini kurrë vetëm në lodhjen e misionit, në sëmundje, në pleqëri e në provat e pashmangëshme të jetës”. Në marrëdhëniet ipeshkëv-meshtar – theksoi Benedikti XVI – pasqyrohet lidhja jonë me Krishtin, i cili kërkon të jemi miq të vërtetë të tij, sepse dëshiron, përmes nesh, të jetë gjithnjë Bariu i mirë që jep jetën për delet e veta. Sigurisht, në radhë të parë duhet të kujdesemi për ata që, ashtu si ne, besojnë e jetojnë në Kishë, por duhet të dalim pa u lodhur edhe rrugëve, për t’i ftuar në gostinë që ka përgatitur Krishti edhe ata të cilët deri tani nuk e kanë njohur ose që nuk kanë dashur ta njohin Zotin.







All the contents on this site are copyrighted ©.