Përkujtojmë 110 vjetorin e lindjes së jezuitit shqiptar, Atë Gjon Karmës
( 17. 05. 06 R. V. )Lindi më 17 maj 1896 në fshatin Guri i Zi, pikërisht në atë fshat
ku, mbi rrënojat e kishës së shkatërruar nga komunistët, jezuitët kanë rindërtuar
një nga Kishat e tyre të reja. U përgatit në gjirin e etërve jezuitë, duke ndjekur
ndër ta të gjitha ciklet shkollore, derisa u shugurua meshtar, më 29 maj 1920. Në
Urdhërin e Jezuitëve u pranua në Gorizia të Italisë, ku kishte shkuar të thellonte
studimet teologjike. Më pas u kthye në atdhe, për të shërbyer në Tiranë (1932) e në
Shkodër, si zevendës-drejtor i Kolegjës Saveriane (deri më 1935). Por kontributin
më të çmuar e dha gjatë shtegtimeve me Misionin Shetitës të etërve jezuitë ndër malësitë
e Veriut, ku predikoi, rrëfeu, shoi mëritë, pajtoi gjaqet, shkroi relacione me vlera
të mëdha njohëse për historinë e këtyre trevave, të cilat studiuesi mund t'i gjejë
nën titullin "Lettere Edificanti", vjetar i jezuitëve, që ende mbetet për t'u studiuar.
Në këtë vjetar gjinden shkrime të panjohura të Atë Gjon Karmës, që hedhin dritë mbi
veprimtarinë e tij si misionar i paqes e i dashurisë ndër malet e egra shqiptare. Atë
Karma njihet edhe për mbledhjen e thesareve të kulturës popullore: dokeve, zakoneve,
gjuhës, këngëve popullore, toponomastikës, aforizmave, të cilat nisi t' i botonte
në revistat e jezuitëve "Lajmëtari i Zemrës së Krishtit" dhe "LEKA" e më vonë i përmblodhi
në veprën "Ndër malet tona", botuar më 1940. Si të gjithë klerikët shqiptarë,
vuajti për një kohë të gjatë ndër burgjet komuniste e ndër kampet e vdekjes. Iu desh
të jetojë me duar të prangosura që nga viti 1946 e deri në vdekje. Nuk dihet me siguri
as kur vdiq, as ku u varros. Çka dihet me siguri, është se vdiq si dëshmitar i fesë
së Krishtit, duke krye deri në frymën e fundit misionin e tij kishtar e kombëtar.