2006-05-16 18:07:34

Nisi në Romë shtegtimi më i madh i katolikëve rusë. Nesër paradite në audiencën e përgjithshme do të jenë të pranishëm 150 shtegtarë nga Rusia, ndërsa sot pasdite u paraqit libri “Mjeku shenjt i Moskës”, që përmbledh veprimtarinë e Friedrih Jozef Haas, i cili mjekoi të burgosurit katolikë e orotodoksë në Moskë e Siberi dhe vdiq duke lënë pas famën e shenjtërisë


(16. 05. 06 R.V.)Është hera e parë që vijnë në Romë, për t’u gjunjëzuar tek varri i Shën Pjetrit, për të takuar Papën e ri, për t’u lutur për Paraardhësin e tij dhe për të sjellë, në zemër të katolicizmit, dëshminë e një njeriu i cili, 150 vjet më parë e jetoi pikë për pikë Ungjillin ndërmjet njerëzve më të braktisur të Moskës. Shtegtarët rusë, që shoqërohen nga kryeipeshkvi i katedrales së Nënës së Zotit në Moskë, Tadeush Kondrusheviç, do të qëndrojnë disa ditë në Romë, në kuadrin e shtegtimit me të cilin përfundon viti kushtuar përkujtimit të Gjon Palit II. Nesër paradite do të takohen me Benediktin XVI në audiencën e përgjithshme. Kanë me vete, si shenjë dalluese, një shirit me ngjyrat e flamurit rus: bardh, blu e kuq dhe nënshkrimet e një numri të madh besimtarësh të kryedioqezës së tyre, që nuk munden të vijnë në Romë. Disa nga besimtarët kanë sjellë edhe dhurata për Atin e Shenjtë. Ndërmjet dhuratave është një ikonë ruse e shekullit XVIII dhe një parament apo veshje liturgjike e qindisur me dorë.
E gjithnjë nesër, shtegtarët do të marrin pjesë në një Meshë që do të kremtohet në kripën e Bazilikës së Shën Pjetrit. Kanë me vete edhe një përmbledhje dëshmish nga i gjithë vendi, në favor të lumnimit të Gjon Palit II.
Sot pasdite shtegtarët ishin në Institutin Papnor Lindor, ku morën pjesë në paraqitjen e biografisë së Friedrih Jozef Haas, mjekut katolik gjerman, i cili gjithë jetën (1780-1853) e ushtroi profesionin ndërmjet më të varfërve të Moskës e më pas, ndërmjet të internuarve në Siberi, duke merituar kështu të quhej shenjt që më të gjallë si nga katolikët, ashtu edhe nga ortodoksët. “Libri “Mjeku shenjt i Moskës” është përgatitur nga jezuiti Atë Gjerman Marani.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.