2006-05-16 19:12:13

Lajme shoqërore-politike: 16 maj


Rusia dhe Kina nuk do të autorizojnë përdorimin e forcës për të zgjidhur krizën ndërkombëtare të shkaktuar nga programi bërthamor iranian. Kështu deklaroi sot Ministri i jashtëm i Rusisë Sergej Lavrov gjatë vizitës që po zhvillon në Pekin. Ndërkohë Teherani përsëriti se nuk do të pranojë asnjë kërkesë të BE-ian për ndërprerjen e pasurimit të uraniumit në këmbim të ndihmave në degën bërthamore për përdorim civil.


Forcat qeveritare irakiane kapën rob një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Al-Zarkavit, terroristit të njohur si mëkëmbës i Bin Ladenit në Irak. Gjithashtu në Bagdad rinisi procesi kundër Sadam Hyseinit, i cili nuk u paraqit fare në sallë të gjyqit.


“Prerja e fondeve Autoritetit Palestinez nuk zgjidhë asgjë, por përkundrazi vetëm sa do të përkeqësojë gjendjen që qysh tani mund të quhet e rëndë”- tha sot presidenti palestinez Abu Mazen në fjalën drejtuar Parlamentit Evropian në Strasburg.


“Terrorizëm, pengmarrje e rëndë dhe vrasje e shumëfishtë. Këto ishin akuzat për të cilat u dënua i vetmi terrorist që u kap i gjallë pas sulmit në shkollën e Besllanit, në shtator të 2004. Nga përleshjet mes terroristëve dhe policisë atë herë mbetën të vrarë 331 vetë, shumica fëmijë.


6 mijë ushtarë të Rojës Kombëtare amerikane do të rreshtohen përgjatë kufirit të SHBA-së me Meksikën për t’i bërë ballë emigracionit të paligjshëm; një program afatgjatë për të lehtësuar dhënien e lejeve të punësimit të përkohshëm. Në këto dy pika mbështetet plani i presidentit Bush për zgjidhjen e problemeve të emigracionit në SHBA-ës.


Kthesë në marrëdhëniet diplomatike ndërmjet SHBA-ës dhe Libisë. Pas afro 25 vjetësh ndërprerje këto dy vende lajmëruan rihapjen e ndërsjelltë të përfaqësive diplomatike. Së shpejti pritet edhe që Libia të hiqet nga lista e vende që financojnë terrorizmin ndërkombëtar.


Pas tri ditësh trazira dhe përleshjesh ndërmjet policisë dhe mafies, duket se në Brazil u rikthye rendi publik. Shkak për trazirat ishte bërë transferimi i 165 të burgosurve të rrezikshëm në një burg të sigurisë së lartë. Për rivendosjen e rendit ndihmoi dukshëm një tavolinë e rrumbullakët e autoriteteve dhe rebelëve.


Në Sudan, Bashkimi Afrikan i dha edhe dy javë kohë grupeve rebele që luftojnë në zonën e Darfurit për të nënshkruar marrëveshjen e paqës me qeverinë e Kartumit. Traktati i paqes i hartuar nga Bashkimi Afrikan parashikon çarmatosjen e trupave filoqeveritare dhe amnistinë për luftëtarët e palës tjetër.


Për të baraspeshuar prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike në Shqipëri qeveria Berisha parashikon ndërtimin e një termocentrali të ri në Vlorë, një tjetër më të fuqishëm në Korçë dhe rinovimin e plotë të atij të Fierit. Lajmi u bë i ditur dje gjatë një takimi të kryeministrit Sali Berisha me biznesmenët.







All the contents on this site are copyrighted ©.