2006-05-16 18:02:56

Fjalët e Papës Benedikti XVI drejtuar dje pjesëmarrësve në mbledhjen plenare të Këshillit Papnor për Emigrantët dhe Endacakët, janë në qëndër të vëmendjes në takimin që vijon punimet pranë Pallatit të Shën Kalistit në Romë. Intervistë e kardinalit Renato Rafaele Martino, kryetar i ri i dikasterit


RealAudioMP3 (16. 05. 06 R.V.)Në Pallatin e Shën Kalistit në Romë, vijojnë punimet e mbledhjes plenare të Këshillit Papnor të baritorisë për emigrantët dhe endacakët. Dje pjesëmarrësit u pritën në audiencë nga Benedikti XVI. Në fjalimin që u drejtoi, Papa nënvizoi sidomos temën e dialogut ndërfetar dhe të reciprokësisë ndërmjet feve. Sot kardinali Martino reflekton mbi këto dy pika, në mikrofonin e Radio Vatikanit:
Përgjigje: - Në të vërtetë vetëm dialogu ndërmjet qytetërimeve të ndryshme dhe përpjekja për mirëkuptim të anasjelltë, mund t’u krijojnë të gjithëve kushtet për një ardhmëri më të mirë. Duhet të vijojmë të ndërtojmë ura miqësie ndërmjet ndjekësve të feve të ndryshme. Posaçërisht të krishterët dhe myslimanët, siç është shprehur qartë vetë Papa në Këln, gjatë Ditës Botërore të Rinisë, duhet t’u bëjnë ballë së bashku shumë sfidave të kohës sonë. Dialogu ndërfetar e ndërkulturor ndërmjet tyre nuk mund të kufizohet në veprimtari që mund të organizohen ose jo, sipas dëshirës të njërës apo tjetrës palë. Dialogu është nevojë jetike, sepse nga ai varet në një masë të madhe vetë ardhmëria jonë. Benedikti XVI e di mirë se emigrantët dhe endacakët mund të jenë ura të gjalla miqësie, por mund të shndërrohen edhe në mjete të urrejtjes e të konflikteve, siç na e ka mësuar shpesh historia. Duhet të nxjerrim mësime nga e kaluara, të kërkojmë rrugët e pajtimit e të jetojmë duke respektuar edhe identitetin e tjetrit, për të mos përsëritur të njëjtat gabime.
Pyetje: - Cili është urimi Juaj, Hirësi, për punimet e Plenares suaj të parë si Kryetar i dikasterit?Përgjigje: - Shpresoj që puna jonë këto ditë të japë kontribut për plotësimin e dëshirës së thellë, shprehur nga Papa Benedikti XVI gjatë Ditës së cituar Botërore të Këlnit: “Në se së bashku do të arrijmë të zhdukim nga zemrat çdo gjurmë mllefi, në se do të rezistojmë përballë çdo forme të intolerancës dhe do t’i kundërvihemi çdo shfaqjeje të dhunës, atëherë sigurisht që do të jemi në gjendje ta prapsojmë valën e fanatizmit të egër, që kërcënon jetën e shumë njerëzve dhe krijon pengesa për ecjen drejt një bote, në të cilën mbretëron paqja.







All the contents on this site are copyrighted ©.