2006-05-15 17:44:10

Sot u kremtua Dita ndërkombëtare e familjes


( 15. 05 06 R. V. )“Duhet të ndërtojmë një mjedis që t’i mbështesë familjet”. Kështu u shpreh sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, në meszhin për Ditën e sotme ndërkombëtare të familjes. Kjo ditë sivjet iu kushtua shndërrimeve të thella që po vënë në dyshim – siç theksoi Kofi Anan – ndërtimin e familjes ashtu si e njohim”.
Benedikti XVI këto ditë ka ripohuar me forcë nevojën për ta mbrojtur familjen “si bashkim i një burri me një grua, themeluar mbi martesën”. Nuk është fjala për një çështje konfesionale ose katolike – ka thënë Papa – sepse familja është shtylla e shoqërisë, gjë që u intereson besimtarëve e jo besimtarëve. Por cili është realiteti i familjeve sot. Ia drejtuam këtë pyetje sociologut Sabino Akuaviva:

Përgjigje: - Në shoqërinë bashkëkohore, për fat të keq, struktura familjare është ligështuar ndjeshëm, sepse i është nënshtruar një sërë sulmesh të karakterit moral, ekonomik etj etj. Kjo sjell si pasojë kolapsin e lindjeve. Ndërsa numri i lindjeve në Amerikë vijon të jetë i kënaqshëm e në vendet aziatike i bujshëm, në Evropë çiftet janë të brishta. Bashkimi ndërmjet tyre zgjat pak, nuk kanë projekte as për veten e aq më pak për breznitë e ardhshme. Prandaj mbizotëron mendimi konsumistik, që ka në qendër të vëmendjes blerjen e shtëpisë, të automobilit etj etj. E kjo sjell si pasojë kolapsin e strukturave familjare, ligështimin e tyre të mëtejshëm e, natyrisht, siç e thashë edhe më lart, kolapsin demografik, me pasoja të rënda.

Pyetje: - Cilat janë instancat tjera që kërcënojnë themelet e familjes?

 
Përgjigje: - Pa dyshim, struktura familjare e bazës, ajo e zonave si India, vendet Arabe, Kina etj, ndër ne është vënë në diskutim. Faktikisht bashkimet që bazohen mbi martesën po bëhen gjithnjë më pak të qëndrueshme e më të pakta në numër. Ka, pastaj, qytete evropiane në të cilat mbizotërojnë strukturat familjare të një seksi. Në Oslo, për shembull, familje të tilla përbëjnë 30% të popullsisë. E kjo sjell pasoja të rënda në të gjitha drejtimet; së pari krijon një jetë pa ideale, që çon, pastaj, deri në vetvrasje.







All the contents on this site are copyrighted ©.