2006-05-15 18:37:09

Lajme shoqërore-politike: 15 maj


RealAudioMP3 U hap sot në Trebizondë në Turqi procesi gjyqësor në ngarkim të vrasësit 16-vjeçar të meshtarit italian Antonio Santoro. Seancat do të zhvillohen me dyer të mbyllura. Mbi të pandehurin rëndojnë akuzat për vrasje me dashje, armëmbajtje pa leje dhe cënim i rendit publik.


Të paktën nëntë irakianë, katër prej të cilëve mësues, u vranë sot në atentate të ndryshme në Irak. Ndërsa gjatë natës u sulmua me mortaja baza e ushtarëve britanikë në Amarë. Mbetën të plagosur katër ushtarë. Deri tani numri i ushtarëve britanikë të vrarë në Irak është 111.


Bashkimi Evropian është i gatshëm t’i paraqesë Iranit propozime që u cilësuan si “zemërgjera dhe të guximshme” në fushën e ekonomisë, atë bërthamore dhe mbase edhe në atë të sigurisë, me kusht që Irani të heqë dorë nga planet e veta bërthamore.


Ndërkaq sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan ka hartuar një plan për zgjidhjen e menjëhershme dhe paqësore të krizës bërthamore iraniane. “Bashkësia Ndërkombëtare duhet të veprojë sa më shpejt.”- tha Kofi Anan duke iu referuar propozimeve të fundit evropiane drejtuar Teheranit. Gjithashtu, duke folur për Korenë e Veriut, Kofi Anan theksoi se çështja bërthamore koreane është urgjente për krejt Azinë.


Ka gjasa që në ditët e ardhshme Bashkimi Evropian të bllokojë llogaritë bankare të disa prej përfaqësuesve të regjimit bjellorus. Kështu u shpreh sot Komisarja e BE-së për marrëdhëniet me jashtë Benita Ferrero-Waldner.


Deri tani armëpushimi i shpallur nga grupi i “të urtëve” në Mogadisho, Somali nuk është prishur. Marrëveshja u arrit pas shtatë ditë luftimesh të ashpra që shkaktuan 150 viktima dhe rreth 300 të plagosur.







All the contents on this site are copyrighted ©.