2006-05-15 17:37:05

Dialog ndërfetar në respekt reciprok, pa hequr dorë nga identiteti vetjak: kështu u shpreh Benedikti XVI në audiencën me anëtarët e Këshillit Papnor për Emigrantët


RealAudioMP3 (15. 05. 06. R.V.)Të dialogohet haptazi me myslimanët pa hequr dorë nga identiteti vetjak, duke respektuar parimin e reciprokësisë”: kështu u shpreh Benedikti XVI në audiencën me anëtarët e Këshillit Papnor për Emigrantët dhe Endacakët, të cilët i priti sot në Vatikan.
Asambleja plenare e Këshillit Papnor për Emigrantët dhe Endacakët u mblodh sot në Pallatin e Shën Kalistit në Romë, ku filluan punimet e takimit, që do të vijojë deri më 17 maj.
Po diskutohet rreth temës “Emigracioni dhe jeta endacake nga e drejt vendeve me shumicë islamike”. Po, pse u zgjodh pikërisht kjo temë? Përgjigjet, në mikrofonin e radios sonë, sekretari i dikasterit papnor, kryeipeshkvi Agostino Marketo:


Përgjigje: Fenomeni i emigracionit (për arsye ekonomike, studimi ose i detyruar) është shenjë e kohëve, siç dëshmon edhe Mesazhi i Atit të Shenjtë për Ditën botërore të emigrantit dhe të refugjatit 2006. Udhëzuesi ynë ‘’Erga migrantes caritas Christi’, miratuar më 1 maj 2004 nga Gjon Pali II, i jep kësaj shenje një përgjigje kishtare, duke e shoqëruar edhe me punën baritore përkatëse. Prandaj sot, më shumë se kurrë, për ne është koha e dialogut me fetë e tjera të emigrantëve e sidomos me emigrantët e fesë myslimane. Por nuk duhet harruar edhe se shumë të krishterë për arsye të ndryshme, nisen drejt tokave të Islamit. Prej këndej edhe tema e mbledhjes plenare.
Pyetje: - Kush merr pjesë në takim?
Përgjigje: - Anëtarët dhe Këshilltarët e Këshillit tonë papnor si dhe një grup specialistësh ndërkombëtarë, gjithsejt rreth 70 vetë si dhe eprorët zyrtarë të dikasterit, nën drejtimin e Kryetarit të ri, kardinalit Renato Rafaele Martino. E sot, pjesëmarrësit në takim u pritën në audiencë nga Benedikti XVI.
Gjatë kësaj audience, Papa ripohoi se dialogu duhet të bazohet gjithnjë mbi respektin e anasjelltë.
Kisha katolike vëren, me vetëdije në rritje, se dialogu ndërfetar është pjesë përbërëse e impenjimit të saj në favor të njerëzimit në botën e sotme: këtë nënvizoi Ati i Shenjtë, i cili u ndalua veçanërisht në emigrimin nga vendet myslimane. Është një fenomen – vijoi Papa – që meriton reflektim të posaçëm, sepse identiteti islamik ka karakteristika të veçanta fetare e kulturore. Prandaj Benedikti XVI vuri theksin posaçërisht mbi impenjimin e të krishterëve për dialog të bazuar mbi respektin e anasjelltë:
Po jetojmë kohë në të cilat të krishterët janë të thirrur të kultivojnë një stil dialogu të hapur mbi problemin fetar, duke ua paraqitur bashkëbiseduesve propozimin e krishterë në koherencë me identitetin vetjak. Gjithnjë më tepër, pastaj, bie në sy rëndësia e reciprokësisë së dialogut, gjë që udhëzuesi ‘Erga migrantes caritas Christi’ e quan, me të drejtë, parim me rëndësi të dorës së parë”.
Sesa ky impenjim është i rëndësishëm e delikat – shtoi Papa – këtë e dëshmojnë përpjekjet që bëhen në shumë bashkësi për të krijuar ndërmjet emigrantëve marrëdhënie njohjeje dhe nderimi të anasjelltë që sot, më shumë se kurrë, janë të nevojshme për kapërcimin e horizonteve të ngushta mendore. Duhet të shpresojmë – vijoi Papa - se edhe të krishterët që emigrojnë ndër vendet me shumicë islamike, do të gjejnë mikpritje e se do t’u respektohet identiteti i tyre fetar.
Papa kujtoi, kështu, se në veprimtarinë e saj të mikpritjes e të dialogut me emigrantët dhe endacakët, bashkësia e krishterë duhet të ketë si pikë të përhershme referimi Krishtin, që na la “urdhërimin e ri të dashurisë”:
Dashuria e krishterë, për vetë natyrën e saj, është parandaluese. Ja se pse besimtarët janë të thirrur t’ia hapin krahët dhe zemrën çdo njeriu, pavarësisht nga vendi prej ku vjen, duke ua lënë pastaj në dorë autoriteteve përgjegjëse të jetës publike të vendosin sipas ligjeve të nevojshme për një bashkëjetesë të shëndoshë”.
Të krishterët duhet t’ia hapin zemrat posaçërisht të vegjëlve e të varfërve, ndër të cilët është i pranishëm vetë Krishti. Duke vepruar kështu – riopoi Papa - venë në pah cilësitë më të veçanta të identitetit të krishterë: atë dashuri që Krishti e jetoi e që ia transmeton vazhdimisht Kishës përmes Ungjillit dhe sakramenteve. Ky – tha në përfundim Papa – është një front domethënës i Ungjillëzimit të ri në botën aktuale të globalizuar.
Ndërsa Kardinali Renato Rafaele Martino e hapi mbledhjen plenare të dikasterit për emigrantët dhe endacakët, duke nënvizuar urgjencën për një dialog të çiltër e të ndershëm ndërfetar. Kryetari i ri i dikasterit papnor vuri theksin mbi nevojën e integrimit të përshtatshëm shoqëror e kulturor, në përkim me ligjet e shoqërisë civile në fuqi. Theksoi edhe nevojën për reciprokësi të drejtë në zgjidhjen pozitive të problemeve që presin zgjidhje, krijuar nga një numër gjithnjë më i madh emigrantësh nga e drejt vendeve me shumicë myslimane. Duhet menduar- kujtoi kardinali Martino - edhe për shumë emigrantë të krishterë që jetojnë në vende me shumicë myslimane, ku e drejta e lirisë fetare është e kufizuar dhe e marrë nëpër këmbë. Kardinali uroi që myslimanët të bëhen gjithnjë më të vetëdijshëm për ushtrimin e pomohueshëm të lirive themelore, të drejtave të patjetërsueshme të njeriut, barazisë së burrit me gruan, parimit demokratik në qeverisjen e shoqërisë e laicitetit të shëndoshë të shtetit. Kryetari i dikasterit vërejti se në përgjithësi nuk duhen këshilluar martesat ndërmjet katolikëve e myslimanëve por edhe se, kur martesa të tilla kremtohen me leje e me përgatitje të posaçme, duhen mbështetur nga bashkësia e krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.