2006-05-13 11:46:39

Shenjtorët e Javës


( 14. 05. 06 R. V. ) RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën V të Pashkëve; përkujtoi edhe Shën Matinë Apostull e Shën Mikelin, themelues i Priftërinjve të Zemrës së Krishtit.

Ta duash Zotin do të thotë të bësh vullnetin e tij çdo çast. Këtë na kujtojnë Shën Sofia, Shën Torkuati ipeshkëv i Godiksit dhe Shën Isidori bujk, festa e të cilëve do të kremtohet nesër.

Të martën e ardhshme do të përkujtohen Shën Aleksandri, ipeshkëv i Jeruzalemit, martir dhe Shën Ubaldi, ipeshkëv i Gubios. Në liturgjinë e festës së tyre Jezusi na përsërit se dëshiron të mbretërojë në zemrat tona, duke na larguar nga shpirti çdo trazim.

Shën Pashkual Bajloni, laik françeskan, Pajtor i Shoqatave eukaristike, që Kisha do ta kremtojë të mërkurën e ardhshme, na fton të shkojmë me gëzim në shtëpinë e Zotit e të kujtojmë se i krishteri është i thirrur të sjellë fryte pendese e shenjtërie, gjithnjë i mbështetur në hirin e Zotit.

“Zoti do atë që dhuron me gëzim” është mësimi që na japin Shën Gjoni I papë e martir e Shën Feliçi, rregulltar kapuçin, që do të përkujtohen të enjten e ardhshme.

Të premten, pastaj, do të përkujtohen Shën Pjetër Çelestini V papë, Shën Urbani papë, Shenjtorët Parteni e Kallogjeri martirë, Shën Ivoja meshtar e Shën Krispini nga Viterbo, rregulltar kapuçin, që na kujtojnë se kulmi i dashurisë është t’ua dhurosh të tjerëve gjithë vetveten.

Të shtunën do të kremtohet Shën Bernardini nga Siena, meshtar françeskan, që na kujton se krishterimi nuk është i lehtë, por i lum. Të krishterët e vërtetë do të urrehen ose do të kundërshtohen gjithnjë. E ka parafolur vetë Jezusi, që është e Vërteta, por kush do të vijojë të ecë në rrugën e Tij, do të shëlbohet.
 
 







All the contents on this site are copyrighted ©.