2006-05-13 15:53:07

Dy Shërbëtore të reja të Zotit u lartuan në nderimet e elterit: dje në Holandë, u shpall e Lume Maria Tereza e Shën Jozefit, ndërsa sot në Napoli u lumnua Maria e Mundimeve të Zotit tonë Jezu Krishtit


( 14. 05. 06. R. V. ) RealAudioMP3 Sot në Napoli të Italisë Kishës katolike iu shtua një e lume e re: Maria Grazia Taralo, rregulltare e Kongregatës së Motrave të Kryqëzuara, adhuruese të Eukaristisë. Kremtimin eukaristik, me ritin e Lumnimit, gjatë të cilit u lexua Dekreti i Atit të Shenjtë, e kryesoi Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Hosé Saraiva Martins.
Maria Grazia lindi në vitin 1866. Jeta e saj mund të përmblidhet në fjalët: “Përvojë e Jezu Krishtit në Mundimet e Kryqit e në Eukaristi”. Prandaj ajo, duke bërë kushtet e përjetshme, e pikturoi kështu portretin e vet: “Quhem Maria e Mundimeve të Krishtit e s’dëshiroj tjetër, veçse t’i përngjaj Mësuesit tim”. E shkrirë nga netët e gjata pa gjumë, kaluar në gjunj para Tabernakullit dhe nga pendesët e shumta, vdiq në moshën 46 vjeçare në Shën Gjergj të Kremanos, ku edhe u varros më 27 korrik 1912.
Po cili është mesazhi që sjell e Lumja e re në kohët tona, kur gjëja që i pëlqen më pak njeriut modern janë mundimet, kryqat... Postulatori i çështjes së lumnimit, i nderuari Nuncio D’Elia, shpjegon:
- E lumja Maria Grazia Taralo na thotë ne sot, atë që na ka mësuar Gjon Pali II kohët e fundit: Duhet ta duam mbi gjithçka Eukaristinë. Na fton, prandaj, të gjunjëzohemi sa më shpesh në adhurim para të Shenjtnueshmit Sakrament.

 
Dje, në në katedralen e Roermondit, në Vendet e Ulta, gjatë një kremtimi solemn me ritin e lumnimit, kryesuar nga kardinali Simonis, kryeipeshkëv i Utrehtit, u shpall e lume rregulltarja Maria Tereza e Shën Jozefit (në shekull Ana Maria Tosher Van Den Bosk), themeluese e Motrave Karmelitane të Zemrës Hyjnore të Krishtit.
Lindi më 1855 në Sandov të Brandenburgut – sot territor polak, në familjen e një pastori evangjelist, jashtëzakonisht besimtar. Eci në një rrugë tepër të vështirë, derisa u pranua në Kishën katolike më 30 tetor 1888. Veprën e saj e nisi në Berlin, më 1891, duke ia kushtuar gjithë jetën fëmijëve të varfër e të braktisur, pleqve, njerëzve të vetmuar e pa mbështetje, të pastrehëve, të larguarve nga gjiri i Kishës, emigrantëve, punëtorëve të varfër. E kështu derisa vdiq, më 20 shtator 1938 në Sitard të Holandës.
Po cili është sekreti i jetës së virtytshme të së Lumes së re? Përgjigjet, në mikrofonin tonë, rregulltarja e Institutit të themeluar nga e Lumja, Motra Beninja Dédola:
- Sekreti i jetës së virtytshme të Nënë Terezës duhet kërkuar në lidhjen e ngushtë me kryqin e me vuajtjen. Gjithë jeta e saj është plot dashuri për Zotin, për Kishën e për të afërmin. Kjo dashuri i ngjiste një zjarri që ngroh, ndriçon e tregon rrugën drejt Zotit.  







All the contents on this site are copyrighted ©.