2006-05-12 19:32:06

Më shumë bashkëpunim në luftën kundër terrorizmit dhe në promovimin e zhvillimit: këtë theksoi imzot Çelestino Miliore në Pallatin e Qelqit


( 12. 05. 06 R. V. )Më shumë bashkëpunim ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe në promovimin e zhvillimit: këtë theksoi gjatë dy takimeve në Pallatin e Qelqit në Nju Jork, imzot Çelestino Miliore, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara.

Shtetet e ndryshme duhet të krijojnë një bashkëpunim më të ngushtë për t’iu kundërvënë terrorizmit. Këtë nënvizoi kryeipeshkvi Çelestino Miliore, Vëzhgues i Përhershëm i Zyrës së OKB-së në Nju Jork, duke folur dje në këshillimin informal të Asamblesë së Përgjithshme mbi strategjitë kundër terrorizmit. Nuk ka asnjë arsye që mund ta shfajsojë ose ta përligjë terrorizmin, lufta kundër të cilit është betejë për të fituar zemrat e mendjet e njerëzve – ripohoi me forcë kryeipeshkvi Miliore në fjalimin e mbajtur me këtë rast dhe në vijim, duke kujtuar se nganjëherë emigrantët e rinj keqtrajtohen, gjë që i shtyn në prishjen e rendit, kërkoi të gjinden rrugëzgjidhje të drejta për problemt e tyre ekonomike e shoqërore. Duke i zgjidhur këto probleme, - nënvizoi imzot Miliore - kombet mund t’i heqin terroristëve oksigjenin e urrejtes.
Më pas prelati shprehu shqetësimin se terroristët mund të shtjenë në dorë armë të shfarosjes në masë. Tërhoqi kështu vëmendjen e opinionit botëror ndaj rrezikut bioterroristik që, për fat të keq, vijon të nënvleftësohet.
Mbi të gjitha prelati kujtoi thirrjen e Papës Benedikti XVI drejtuar gjithë njerëzve vullnetmirë që t’i thellojnë përpjekjet për reflektim, bashkëpunim, dialog e lutje, për ta mundur terrorizmin, duke ndërtuar bashkëjetesën paqësore të familjes njerëzore.
Prelati mori fjalën edhe në takimin e Komisionit të OKB-së mbi zhvillimin ku, si nënvizoi nevojën e krijimit të një ekologjie që e vë qenien njerëzore në qendër të shqetësimeve ambientaliste, propozoi të krijohet një organizëm i ri për mbrojtjen e mjedisit.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.