( 11. 05. 06 R. V. )Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Injacin prej Lakonit e Shën
Gualtierin, si dhe Shën Anthimin dhe shokët e tij martirë: Maksimin, Basin, Fabin,
Sisinin diakon, Dioklecianin, Fiorencin, Faltonin Piniano e Aniçia Lucinën, shenjtër
e dëshmitarë të Krishtit. Këta martirë, të martirizuar e të nderuar në vende të
ndryshme, lidhen ndërmjet tyre përmes Akteve e Anthimit. Falton Piniani, bashkëshort
i Aniçia Luçinës, stërnip i Perandorit Galieni, qe dërguar nga Diokleciani e Maksimiliani
si prokonsull në Azi. I tronditur thellë nga fundi i këshilltarit të tij, Keremonit,
persekutues i të krishterëve, që vdiq nga një sëmundje e tmerrshme, u sëmur edhe ai
vetë. E shoqja, si e pa se mjekimet nuk kishin asnjë rezultat, iu lut të krishterëve
që ishin akoma në burg, të ndërmjetësonin për shërimin e të shoqit. E në burg ishin
Anthimi, diakoni Sisini, Maksimi, Basi, Fabi, Diokleciani e Fiorenci. Anthimi e siguroi
gruan e dëshpruar se i sëmuri do të shërohej në se do kthehej në fenë e krishterë.
E kështu edhe ndodhi. Atëherë Piniani i liroi të gjithë të krishterët që ishin
nën kontrollin e tij, duke i fshehur në pronat që kishte në Sabinë e në Piceno. Një
prej trojeve të tij ia fali Sisinit, Dioklecianit e Fiorencit, të cilët pas tri vjetësh,
me që nuk pranuan të flijonin për nder të idhujve, u mbyten me gurë nga populli i
tërbuar kundër tyre. Anthimi, i fshehur në një vilë të Pinianit në rrugën romake Salaria,
pasi shëroi e ktheu në fe një adhurues të flaktë idhujsh dhe shkatërroi gjitha hyjnitë
që ai mbante në shtëpi, qe paditur tek Prokonsulli Prisku; i hedhur në lumin Tiber
me një gur të lidhur në qafë, doli mrekullisht shëndosh e mirë nga ujërat. Atëherë
Prisku ia preu kokën e qe varrosur në Uratoren ku lutej. Pas tij iu pre koka edhe
Maksimit e u varros në të njëtën Uratore. Basi, që u jepte zemër besimtarëve për t’i
përballuar provat e reja, u arrestua e, me që nuk pranoi të flijonte për Bakun e Cereren,
u masakrua nga populli në tregun e Forum Novum. Fabi u kap dhe, si u torturua në të
njëjtin vend, iu pre koka. Piniani e Lucina vdiqën nga vdekje natyrore në Romë. Të
dhënat e hollësishme për martirët, të cilët kremtohen në data të ndryshme i gjejmë
në Martirologun Romak dhe në Martirologun Jeronimian. Prej tyre më 11 maj kremtohen
Sisini, Diokleciani e Fiorenci Më i përhapur është kulti i Shën Anthimit, të cilit
iu kushtuan shumë Kisha. Shenjti kremtohet më 27 prill.