2006-05-11 19:28:45

Presidenti i Repubikës së Venezuelës, Ugo Çaveth Frías në Vatikan: Papa Benedikti XVI shprehu shqetësimin e tij për lirinë e Kishës në vend


( 11. 05. 06 R. V. )Sot, duke pritur në audiencë presidentin dhe kryeministrin e Repubikës së Venezuelës, Ugo Çaveth Frías, që arriti dje në Romë në kuadrin e një turi diplomatik, nisur në Itali, për të vijuar në Austri, Britani të Madhe e Algjeri, Papa Benedikti XVI shprehu shqetësimin e tij për disa probleme tepër të rëndësishme, që kanë lidhje me marrëdhëniet ndërmjet Shtetit e Kishës.
Ishte takimi i parë i Çaveth me Benediktin XVI, pas dy vizitave të mëparshme nën papninë e Gjon Palit II në Vatikan. Presidenti venezualan ka ardhur në Vatikan për të kapërcyer disa vështirësi në marrëdhëniet ndërmjet Shtetit e Kishës. Gjatë takimit, që zgjati 35 minuta – siç njofton drejtori i sallës së shtypit të Selisë së Shenjtë, Joakin Navarro Valls – presidenti venezuelan i shpjegoi Papës projektet e ndryshme shoqërore që po vihen në jetë në vend. Ndërsa Benedikti XVI vuri theksin mbi lirinë që gëzon Selia e Shenjtë për emërimin e ipeshkvijve dhe uroi që Universiteti i Shën Rozës së Limës, ta ruajë gjithnjë identitetin e tij katolik. Papa shprehu edhe shqetësimin e tij për projekt-reformën në fushën e arsimit, në të cilën nuk përmendet fare mësimi i besimit. Kërkoi, në vijim, që ndër programet e shëndetsisë publike të vihet në qëndër të vëmendjes mbrojtja e jetës, që nga zënia. Së fundi theksoi kërkesën për pavarësinë e mediave katolike.
Kujtojmë se, lidhur me tensionet e krijuara gjatë presidencës së Çaveth, në pushtet që nga viti 1998, Benedikti XVI, duke pritur në audiencë, në gushtin e kaluar, ambasadorin e ri venezuelan pranë Selisë së Shenjtë, theksoi se Kisha, që nuk mund të pushojë së shpalluri e së mbrojturi dinjitetin e njeriut në tërsi dhe prirjen e tij shpirtërore për t’u takuar me Zotin, kërkon të ketë hapësirën dhe mjetet e nevojshmne për të kryer misionin e saj humanitar. Prej këndej buron kërkesa për të përcaktuar forma bashkëpunimi të frytshëm ndërmjet Shtetit e Kishës, për të mirën e të gjithëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.