2006-05-11 18:14:38

Lajme shoqërore-politike: 11 maj


RealAudioMP3 Vijojnë deklaratat e presidentit iranian Ahmadinexhad në lidhje me programin bërthamor dhe Izraelin. “Irani është i gatshëm të bisedojë me këdo” u shpreh sot presidenti Ahmadinexhad duke folur për një kanal televiziv indonezian. Por pak më tej, ai shtoi edhe se “shteti hebraik një ditë do të zhduket sepse është i themeluar mbi të keqen”.


Tre ushtarë amerikanë dhe dy irakianë mbetën të vrarë në dy atentate të ndryshme në Irak. Po sot në Bagdad u mblodhën autoritetet fetare dhe udhëheqësit e partive të ndryshme politike, të cilët theksuan se vendi po kalon një periudhë të vështirë dhe se rendi mbetet çështja kryesore.


“Izraeli duhet të gjejë rrugën për të mbështetur presidentin Abu Mazen duke anashkaluar qeverinë e Hamasit.”tha ministri i mbrojtjes i Izraelit Amir Perec. Sipas shtypit vendas ministri i mbrojtjes ka ndërmend që të ndihmojë konkretisht popullin palestinez pas ndërprerjes së fondeve nga Izraeli dhe BE-ian.


Dhoma e lartë e parlamentit spanjoll miratoi sot me 128 vota pro, 125 kundra dhe 6 abstenime statutin e ri të autonomisë së Katalonjës. Statuti parashikon rregulla të reja të financimit të krahinës dhe në parathënje, kur flet për popullin e Katalonjës përmend fjalën “komb”.


Në Somali vijojnë luftimet ndërmjet terroristëve të Al Kaedës dhe udhëheqësve lokalë të rezistencës. Gjatë natës kryeqyteti u godit me mortaja dhe pati 20 të vrarë. OKB-ja u kërkoi palëve ndërluftuese të marrin parasysh vuajtjet që po i shkaktojnë popullit e të tërhiqen.


Pas anullimit të takimeve nga pala kineze me zyrtarët shqiptarë, ministri i jashtëm i Shqipërisë Mustafaj dha sot një konferencë për shtyp gjatë së cilës nënvizoi se marrëdhëniet me Kinën janë shumë të mira dhe se ministri ka ndërmend të vizitojë Pekinin vjeshtën e ardhshme. Acarimi i këtyre ditëve mes Kinës dhe Shqipërisë ndodhi për arsye të pesë kinezëve myslimanë, që të liruar nga baza amerikane e Guantanamos kërkuan strehim politik në Tiranë.







All the contents on this site are copyrighted ©.