( 10. 05. 06 R. V. )Jobi, figurë tepër e njohur në Bibël e në traditën e krishterë
si model i shenjtërisë dhe i durimit, lindi e jetoi në viset e Husit, të cilat shumë
autorë i identifikojnë me zonën ndërmjet Idumesë e Arabisë veriore. Gjithçka të bind
se ai nuk ishte hebré, por thjeshtë “njeri i drejtë që jetonte me frikën e Zotit”.
Prej Shkrimit Shenjt mësojmë se ishte njeriu më i pasur i Lindjes: kishte deve, qé,
gomerë e skllevër të panumërt. Ishte në kulmin e pasurisë dhe të lumnisë, kur papritmas
i ranë mbi kokë fatkeqësi të tmerrshme njëra pas tjetrës. Në një kohë tepër të shkurtër
humbi gjithçka kishte: pasuri, skllevër, bij e bija. Të thjeshta e kuptimplote fjalët
që tha, kur e pa veten duke u rrogomisur nga kulmi i begatisë në greminën e mjerimit:
“Jahveh m’i dhuroi e Jahveh m’i mori. Bekuar qoftë emri i Jahveh!”. Sikur të
mos mjaftonin gjithë këto kobe, ashtu i mjerë e i vetmuar, u prek nga një sëmundje
që ia shndërroi gjithë trupin në plagë. Por ai s’e humbi duresën, as atëherë kur e
shoqja, që ishte ende gjallë, nisi të tallej keqas me të. I dëbuar nga shtëpia, u
detyrua t’i kalonte ditët maje një grumbulli plehrash. Aty e gjetën tre miqtë e tij
të ngushtë të cilët, të njoftuar për mjerimet që i kishin rënë mbi kokë, vrapuan ta
ngushëllonin. Ishin Elifazi Temianit, Baldadi Suhit dhe Safari Naamatit. Këtu, në
Librin e Jobit, një nga librat e Shkrimit Shenjt, nis një dialog tepër i gjatë ndërmjet
tyre. Diskutohet me frymë të lartë poetike për problemet më të mprehta e më fisnike
që kanë munduar mendjen njerëzore në shekuj: për zanafillën e dhimbjes në botë, për
lidhjen ndërmjet njeriut e Zotit, lumninë e fatkeqësinë, për fatin e njeriut dhe kuptimin
e jetës së tij. I pari e merr fjalën Jobi i cili, në një monolog sinqerisht dramatik,
shfren gjithë dhimbjen që e bren, duke mallkuar ditën kur lindi e duke i bërë vetes
pyetjen e përjetshme: “Pse vjen njeriu në jetë, kur është i dënuar të jetë fatkeq!”.
Atë çast ai nuk e di se është djalli që e ka vënë në një provë, të cilën Zoti e ka
lejuar, duke pasur besim të patundur në duresën e Jobit. Prova është e gjatë dhe e
vështirë. Asaj i kushtohet pjesa kryesore e Librit të Jobit. E fjala e fundit i takon
pikërisht Zotit. Atëherë Libri i Jobit i afrohet me shpejtësi fundit. Jeta e Shenjtit
që përkujtohet sot, pas provës, përmblidhet në pak versete (42. 11-17). Zoti ia shpërblen
durimin. Ia kthen rishtas të gjitha pasuritë. I fal shtatë bij e tri bija e i jep
jetë të gjatë e të lume derisa vdes në moshën 140 vjeç, i ngopur me të mira e me ditë.