2006-05-10 19:08:44

Në audiencën e sotme të përgjithshme, Benedikti XVI theksoi se Kisha e Romës është garanci për transmetimin e pandërprerë të fesë apostolike


( 10. 05. 06 R. V. )Vazhdimësia episkopale garanton, gjatë historisë, tërësinë dhe pastërtinë e fesë së transmetuar nga Apostujt: këtë pohoi sot Benedikti XVI gjatë audiencës së përgjithshme mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Kisha, që nis me dëshirën e Krishtit, vijon ecjen në rrugët e historisë, në saje të trashëgimisë apostolike. Ky ishte argumenti kryesor që trajtoi Benedikti XVI në audiencën e sotme të përgjithshme, në të cilën morën pjesë rreth 50 mijë shtegtarë e besimtarë nga të katër anët e botës. Ndërmjet tyre, edhe njëqind meshtarë, ardhur nga Vietami, shoqëruar nga Kryeipeshkvi i Ho Shi Minit, kardinali Zhan-Baptist Fan Min Man.
Të krishterët e sotëm kanë provën historike dhe garancinë shpirtërore se feja që Jezusi u transmetoi apostujve, është pikërisht kjo fe që mbërrijti e plotë dhe e pastër deri në ditët tona. Prova dhe garancia vijnë nga bashkëlidhja e papëve dhe e ipeshkvijve, të cilët që prej dymijë vjetësh nuk heqin dorë nga kumtimi i Fjalës së Zotit e i traditës. Ky zinxhir “nuk është pa emër, as mitologjik”. Njihet nga të gjithë me emrin “trashëgimi apostolike”.
Benedikti XVI nisi kështu para besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit e para gjithë Kishës, një kapitull të ri të ciklit të katekizmit të tij, kushtuar lidhjes së Krishtit me Kishën dhe rolit të Apostujve brënda Kishës. Por, para se të niste shpjegimin katekistik, sqaroi fjalën ipeshkëv, që do të ishte në bazë të reflektimit:
Ipeshkëv” është forma italiane e fjalës greke epìscopos, e kjo fjalë tregon një njeri që ka vegime nga lart, një njeri që shikon, e shikon me zemër. Vetë Shën Pjetri, në letrën e tij të parë, e quan Zotin Jezus: “Bari e Ipeshkëv, Rojtar i shpirtrave tonë”.
Me brezninë e dytë të apostujve – nga Pjetri tek Pali e tek të tjerët - shërbimi i ipeshkvijve në Kishë mori emrin “episkopat”. E figura e ipeshkvit nisi të shquhej mbi bazën e përvojave e të formave karizmatike të pranishme në bashkësinë e krishterë.
Kështu, vazhdimësia në funksionin ipeshkvnor, paraqitet si garanci për vazhdimësinë e traditës apostolike. Lidhja e fuqishme ndërmjet Kolegjit të Ipeshkvijve dhe bashkësisë fillestare të Apostujve kuptohet sidomos në vijën e vazhdimësisë historike: në këtë vazhdimësi të trashëgimisë qëndron edhe garancia e vazhdimësisë, në bashkësinë kishtare të sotme, të Kolegjit apostolik që Krishti mblodhi rreth vetes. Por vazhdimësia ka edhe kuptim shpirtëror, sepse trashëgimia apostolike e ministerit konsiderohet si vend i privilegjuar i veprimit dhe i transmetimit të Shpirtit Shenjt”.
Në këtë transmetim të Fjalës e të traditës, spikat Kisha e Romës. Ajo – pohoi Benedikti XVI – bëhet shenjë, kriter e garanci e transmetimit të pandërprerë të fesë apostolike. Ky rend e kjo vazhdimësi – vijoi Papa, duke cituar ipeshkvin e shekullit II, Ireneun e Lionit – vlejnë si prova më e plotë se feja e gjallë e transmetuar nga Apostujt është një dhe e njëjtë me atë që është ruajtur e transmetuar në vërtetësi”:
Përmes trashëgimisë apostolike, Krishti arrin tek ne; është ai që na flet përmes fjalës së pasardhësve të apostujve; është ai që vepron me duart e tyre ndër sakramente: në sytë e tyre janë sytë e Tij që na shikojnë e na bëjnë të ndjejmë se Zoti na do, se na pranon në zemër të vet. E edhe sot vetë Krishti është Bariu i vërtetë e Rojtari i shpirtrave tonë, e ne e ndjekim plot besim, mirënjohje e gëzim”.
Mirënjohje e gëzim shprehu sot edhe turma në Sheshin e Shën Pjetrit, që e përshëndeti Atin e Shenjtë me duartrokitje e brohoritje gjatë përmbledhjes së katekizmit në gjuhë të ndryshme. Një përshëndetje të veçantë Papa u drejtoi sot rregulltareve infermiere të Kongregatave të ndryshme, nxënësve të Seminarit Papnor ndërkombëtar kampan dhe grupeve të tjera të shumta, njerëz të të gjitha moshave e profesioneve. Duke iu drejtuar, si zakonisht, të rinjve, pleqve e të posamartuarve, Benedikti XVI i ftoi t’i sjellin sytë nga Maria, në këtë muaj që i është kushtuar dhe uroi:
Zoja e Bekuar ju ndihmoftë për të çuar një rreze paqeje atje ku ka shqetësim e vetmi”.







All the contents on this site are copyrighted ©.