2006-05-10 19:20:02

Filmi “Kodi da Vinçi”, që nisi të shfaqet ndër kinematë, duhet parë me sy kritik si krijim i dyshimtë i fantazisë së shkrimtarit, që fyen ndjenjat e besimtarëve katolikë


( 10. 05. 06 R. V. ) RealAudioMP3 Kodi i dykuptimtë: mbërrin në sallat e kinemasë filmi i frymëzuar nga romani i Dan Braun. Reflektimi i historianit Franko Kardini.
“Nuk është as i besueshëm as i aftë si historian”. Me këto fjalë, më 7 prillin e kaluar, gjykatësi Peter Smit e shpalli të pafajshëm romacierin Dan Braun që ishte akuzuar për kopjim të veprës ‘Graali i shenjtë’, botuar në vitin 1982, bazuar mbi dokumente të rreme. Tani në sallat e kinemasë të gjithë botës, arrin filmi i ri, i shoqëruar me parrullën “E vërteta do të zbulohet”. Jemi para një fraze me dy kuptime, që nuk mund të konsiderohet e padëmshme. Me që romani mbi të cilin bazohet filmi, është përkthyer prej kohe në gjuhën shqipe, duke shkaktuar jo pak diskutime, krejtësisht të pabazuara natyrisht, e duke pasur parasysh se do të arrijë edhe filmi, ftuam në studion tonë historianin Franko Kardini për një reflektim mbi filmin e ri.

- Nuk ka dyshim se modeli i madh i Dan Braunit është paraletrar e parahistorik. Dan Braun bën kundra Opus Dei, atë që, duke nisur nga shekulli XVIII, është bërë kundër Shoqërisë së Jezuitëve: i shikon rregulltarët e Opus Deit si fanatikë të devoçëm, që punojnë verbërisht në shërbim të Kishës e nuk ndalen para asgjëje, kur bëhet fjalë për të mbrojtur pushtetin e tyre. Shoqëria e Jezuitëve në rrjedhë shekujsh ka qenë krejt ndryshe nga ç’e kanë paraqitur kundërshtarët e, megjithatë, duke nisur nga shtatqinda, tradita, në fillim protestante, pastaj antiklerikale, e paraqiti ashtu si i interesonte. Kyçi i leximit për të kuptuar atë që shkruan Dan Braun për Opus Dei-n, duhet kërkuar në faktin se shkrimtari, në sa merr pendën në dorë, ndjehet i sigurtë se do të ketë sukses. E është kjo që ka rëndësi për të.

- Tek Dan Braun vërehet një rikujtim këmbëngulës i të ashtuquajturit parim mbi rolin parësor të femrës në Kishë…

 
- Frymën e fortë feministe Dan Braun e ka marrë në nivelin më të ultë, sepse ky është niveli nga i cili arrihet suksesi mas medial. Ripërsërit kështu një traditë të vjetëruar, që nis me Margaret Murrai, shkrimtare e shekullit të kaluar, autore e romanit “Zoti i shtrigave”, për të ricikluar historinë, pa kurrfarë baze antroplogjike, të Zotit me origjinë femërore, fekondues, i mirë paqësor, i cili më pas zevendësohet me Zotin e ushtrive, Hyun e priftërinjve e të luftëtarëve. E ky na qenka Zoti i vetëm i Abrahamit, Zot i egër, shtypës, mizor…

- Spoti i filmit që frymëzohet nga libri njofton: “Nuk ka rëndësi çka besoni, ç’ keni lexuar, Kodi da Vinçi do t’ju zbulojë të fshehtën”. Ndoshta është ky kumti që i ngacmon më shumë besimtarët…

 
- Të krijohet ideja se filmi është ngritur mbi një supozim antikatolik. E kujdes, po e theksoj, antikatolike. Kjo natyrisht e bën gjithçka më të dyshimtë. Ç’do të thotë të heqësh dorë nga çka beson, për të shijuar shfaqjen e një filmi? A mund të shijohet, pastaj, një film, në se në një farë pike të tij, besimtari e ndjen veten të fyer në elemenetet më intime që përbëjnë fenë e tij? Sigurisht jo! Ky nuk është film i padëmshëm, i parrezikshëm e prandaj nuk mund të konsiderohet as si fryt i pastër i fantazisë, edhe pse fantazia mund të shtihet qetësisht në punë duke shfrytëzuar objekte të tjera, që nuk fyejnë askënd në ndjenjat më të thella. Nuk mund të mos më lindë pyetja: a do të ishte e gatshme shoqëria civile, edhe ajo laike, të pranonte një film që fyen rëndë ndjenjat fetare të hebrenjve, të myslimanëve e të budistëve? Do të ngrihej, sigurisht, një kor i rebeluar zërash, edhe nga ana e laikëve, përballë një fyerjeje të tillë të ndjenjave fetare të besimtarëve e kështu me radhë…Tashti vijoj të pyes: pse kundër katolikëve mund të bëhen gjëra, që asnjë nga ne nuk mund as t’i mendojë se mund të bëhen kundra hebrenjve, myslimanëve ose besimtarëve të feve të tjera?
- Ç’ përgjigje mund t’u japim atyre që flasin për lirinë e kritikës?

 
- Liria e kritikës, e satirës e edhe e fantazisë mund të ushtrohet lirisht në shumë drejtime. Unë pyes: a do të ishte e mundur sot të bëhej në Perëndim një film që do të vinte në lojë vlerat e lirisë e të demokracisë, në të cilat, ndonëse në mënyra të ndryshme, besojmë të gjithë dhe i mbrojmë të gjithë? A do të ishte e mundur të bëhej një film që të tallej, bie fjala, me shfarosjen e hebrenjve nga nazistët e, si fryt i fantazisë, të krijonte një Hitler ose një Stalin pozitiv, simpatik, përballë demokracive të mëdha negative, antipatike të Perëndimit. Pa dyshim që nuk do ta pranonim!







All the contents on this site are copyrighted ©.