Sot u kremtua ‘Dita për Evropën’. Ipeshkvijtë e COMECE (Komisionit të episkopateve
komunitare) kërkojnë të vihet më shumë në dukje trashëgimia e krishterë. Fjalët e
Benediktit XVI për Kontinentin
( 09. 05. 06 R. V. ) Në atmosferën
e kremtimit të “Ditës për Evropën” ipeshkvijtë e Kontinentit i nxisin nënshtetasit
dhe institucionet e Bashkimit ta venë më shumë në dukje trashëgiminë e krishterë,
duke ndjekur kështu gjurmët e Benediktit XVI në vitin e parë të papnisë. Për
Kontinentin e Vjetër sot ishte ditë kremtimesh. 9 maji është shpallur nga Bashkimi
“Dita e Evropës” e Ipeshkvijtë e Komisionit të Episkopateve komunitare, duke vlerësuar
elementet mbi të cilat kanë përqëndruar vëmendjen institucionet evropiane: demokraci,dialog e diskutim” – i ftojnë shtetasit e kontinentit të vënë në qëndër
të ballafaqimit temën e mbrojtjes së njeriut e të dinjitetit të tij. Projekti
i Evropës së re, i mbështur nga prelatët, duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje fesë
së krishterë dhe bindjeve etike të një numri shumë të madh njerëzish, bindje të cilat
Papa Benedikti XVI i ka mbrojtur me guxim që para zgjedhjes në papni. Të ndjekim
qëndrimet e Benediktit XVI mbi Evropën në vitin e parë të papnisë. Benedikti XVI
hyri fizikisht në zemër të Evropës mbi një anije. Ishte data 18 gusht 2005 e
anija lundronte mbi lumin Ren. E çonte Atin e Shenjtë drejt Këlnit, ku do të merrte
pjesë për herë, të parë si Papë në Ditën Botërore të Rinisë. Në gjysëm të rrugës,
Papa i posazgjedhur u foli të rinjve, por edhe të gjithë atyre që dëgjonin fjalimin
e tij të parë jashtë Italisë, mbi një koncept që e ka pasur gjithnjë në qëndër të
vëmendjes. Duke falënderuar Zotin për dhuratën e fesë, i nxiti të rinjtë t’ia dëshmojnë
këtë fe mbarë botës “nga kjo tokë në qëndër të Evropës, të një Evrope që i detyrohet
aq shumë Ungjillit dhe dëshmitarëve të tij në rrjedhë shekujsh”. Por nuk duhet harruar
se Evropës dhe themeleve të saj shpirtërore, kardinali Jozef Racinger i ka kushtuar
shumë shpesh në të kaluarën, disa nga reflektimet më të bukura, për të vijuar më pas
me reflektimet e magjisterit papnor. Është thellësisht ‘evropian’ emri që mori më
19 prill 2005, ditë e zgjedhjes në papni. Tetë ditë më pas, gjatë audiencës
së parë të përgjithshme, Papa i ri, duke kujtuar ndikimin e jashtzakonshëm të predikimit
benediktin në Kontinent, vërente se: “Përbën një pikë themelore referimi për
bashkimin e Evropës dhe një thirrje të fuqishme për të kujtuar rrënjët e pamohueshme
të krishtera të kulturës së saj e të qytetërimit të saj. Fillimi i ministerit
apostolik i krijoi Benediktit XVI mundësitë për ta thelluar këtë aspekt. Më 30
shtator 2005, në një mesazh drejtuar mbledhjes plenare të Këshillit të Konferencave
ipeshkvnore të Evropës, Papa pohoi se në një kontinent ku është zgjëruar pluralizmi
fetar e ku ndjehet fort shtimi i pranisë islamike, është edhe më e rëndësishme e më
urgjente që të krishterët të fitojnë vetëdijën se Ungjilli nuk mund të mbahet vetëm
për vete. Krishti duhet kumtuar nga të gjithë, kudo e kurdoherë: është një detyrë
që Benedikti XVI ua ngarkoi në radhë parë ipeshkvijve. Është e vërtetë se duhet të
jemi të matur – deklaroi Papa më 5 nëntor 2005, në audiencën me prelatët austriakë.
Por maturia nuk duhet të na pengojë në kumtimin e qartë të fjalës së Zotit, edhe në
ato pika që zakonisht nuk dëgjohen aq me kënaqësi. Më 26 janar të po këtij
viti, bashkëbiseduesit janë delegatët e episkopateve dhe organizmave evropiane. Mendimi
i Benediktit XVI është ky: “Pas rënies së Murit, që ndante vendet e Lindjes
nga ato të Perëndimit në Evropë, është bërë më i lehtë takimi i popujve, të cilët
kanë më shumë mundësi të njihen, të respektojnë njëri-tjetrin, të shkëmbejnë pasuritë
shpirtërore; vërehet edhe nevoja për t’i përballuar të bashkuar sfidat e mëdha të
çastit, duke filluar nga sfida e modernizmit dhe e shekullarizimit. Përvoja tregon
se dialogu i sinqertë e vëllazëror lind besimin, zhduk frikën e paragjykimet, krijon
mundësitë për t’i kapërcyer pengesat, i hap rrugën ballafaqimit paqësor e ndërtues”. Të
rinjve universitarë, më 6 marsin e kaluar, Papa u kërkoi të punojnë për krijimin
e një humanizmi të ri që i ripropozon, duke i aktualizuar, rrënjët e krishtera të
Evropës. E më 30 mars, në takimin me parlamentarët e Partisë popullore evropiane,
Benedikti XVI nënvizoi parimet e padiskutueshme, që kanë të bëjnë me dinjitetin e
njeriut: “Mbrojtja e jetës në të gjitha fazat e saj, që nga çasti i zënies deri
në vdekjen natyrore; njohja dhe promovimi i strukturës së natyrshme të familjes, si
bashkim i një burri me një grua, themeluar mbi martesën dhe mbrojtja e saj nga përpjekjet
për ta barazuar para ligjit me format e bashkimit rrënjësisht të ndryshme, të cilat
e dëmtojnë dhe kontribuojnë në destabilizimin e saj, duke ia errësuar karakterin
dhe rolin shoqëror dhe mbrojtja e së të drejtës së prindërve për të edukuar fëmijët.
Këto nuk janë parime konfesionale, por të shkruara në vetë natyrën njerëzore. E
vetëm katër ditë më parë Papa u takua me kryetarin e Komisionit Evropian Zhozè
Manuel Barroson. Gjatë bisedimit, shprehu besimin e tij për Evropën, pavarësisht
nga hijet, duke vënë në qendër të vëmendjes ardhmërinë e institucioneve evropiane.
Ky takim ishte një shikim plot shpresë drejt së ardhmes së Evropës dhe rolit që mund
të luajnë në të të krishterët, pavarësisht nga vështirësitë aktuale.