( 09. 05. 06 R. V. ) A mund të pohojmë
se jeta e jashtzakonshme e eremitëve, me vetminë e plotë, pendesën e thellë, agjërimin
e tepruar, mundimin e trupit, netët e kaluara pa gjumë në lutje, ishte zbatim pikë
për pikë i Ungjillit të Krishtit? A nuk ekzitonte rreziku që pas vetmisë së tyre të
fshihej kurthi i tekave, krenaria e njeriut që dëshiron të bëjë diçka të jashtzakonshme
ose që nuk mund t’i durojë të tjerët, sepse e konsideron veten përmbi ta? Për ta zhdukur
një rrezik të tillë, një murg egjiptian i shekullit IV, Shën Pakomi, organizoi një
formë të re të jetës murgare: çenobitizmin ose jetën e përbashkët, në të cilën disiplina
dhe autoriteti zevendësonin anarkinë e vetmitarëve. Lutja, meditimi, puna ishin në
bazë të kësaj jete. Ai i edukoi dishepujt e tij për jetë të përbashkët, duke themeluar
jo larg brigjeve të Nilit, “koinoninë” e parë, siç u quajt bashkësia e tij e krishterë,
që i përngjiste bashkësisë së themeluar nga Apostujt në Jeruzalem, bazuar në lutjen,
punën e ushqimin e përbashkët dhe konkretizuar në shërbimin e anasjelltë. Dokumenti
kryesor që rregullonte këtë tip jete ishte Shkrimi Shenjt, të cilin murgu e mësonte
përmendësh dhe e thoshte me zë të ultë gjatë punës së përditshme. Kjo ishte edhe forma
kryesore e lutjes: lidhja me Zotin përmes sakramentit të Fjalës së Tij. Shën Pakomi
lindi në Egjiptin e Epër në vitin 287 nga prindër paganë. I detyruar të shërbente
në ushtrinë perandorake në moshën 20 vjeçare, përfundoi në burg së bashku me të gjithë
rekrutët e tjerë. Disa të krishterë, të mbrojtur nga errësira e natës, shkuan t’i
vizitonin e t’u çonin pak ushqim. Gjesti i këtyre njerëzve të panjohur, plot dashuri
për të afërmin, e preku në shpirt Pakomin, i cili nuk mundi të mos i pyeste ç’i shtynte
ta bënin këtë veprim kaq të guximshëm e të rrezikshëm. “Zoti i qiellit” qe përgjigja
e të krishterëve. Atë natë Pakomi iu lut Zotit të të krishterëve ta lironte nga zinxhirët,
duke i premtuar se do t’ia kushtonte gjithë jetën. Zoti ia dëgjoi lutjen! E edhe ai
e mbajti premtimin. U bashkua me të krishterët e një fshati jugor, që sot njihet me
emrin Kasr-es-Sajad, ku u përgatit për të marrë Pagëzimin. Për një farë kohe jetoi
si asket, duke u shërbyer njerëzve të vendit, pastaj u bë për shtatë vjet dishepull
i murgut plak, Palamonit. Në sa jetonte pranë tij në vetminë e shkretëtirës, një zë
misterioz e ftoi të ngulte banesën në këtë vend, ku shpejt rreth tij do të mblidheshin
shumë dishepuj. Kur vdiq, la pas nëntë kuvende mashkullore e një femëror. Nuk dihet
ku u varros, sepse në shtratin e vdekjes kërkoi që trupi i tij të pushonte në paqe
në një vend të fshehtë. Nuk deshi që mbi reliket e tij të ngrihej ndonjë kapelë
ose kishë, siç ngrihej zakonisht mbi eshtrat e martirëve. Ishte shenjë përvujtërie:
ashtu si kishte jetuar, ashtu edhe vdiq, duke lënë pas atë Kishë madhështore, e cila
nuk ndërtohet me gurë, por me shpirtrat e njerëzve që fitohen për Krishtin.