2006-05-08 17:20:57

“Shenjë e pranisë ungjillëzuese të Papës në botë”: Benedikti XVI nënvizoi impenjimin e Veprave Papnore Misionare, duke pritur drejtuesit e tyre


RealAudioMP3 ( 08 . 05. 06 R. V. )“Shenjë e pranisë ungjillëzuese të Papës në botë”: kështu i quajti Benedikti XVI Veprat Papnore Misionare, drejtuesit e të cilave i priti sot në audiencë në Vatikan.
Një prani e cila, përmes punës që kryen në të katër anët e botës, ushqen “shpirtin e misionit universal”. Ky është një nga tiparet e Veprave Papnore Misionare, mbi të cilin Benedikti XVI vuri theksin duke pritur sot paradite drejtuesit e përgjithshëm të këtij institucioni të lashtë kishtar. Ati i Shenjtë nënvizoi edhe se Asambleja e përgjithshme, në të cilën morën pjesë këto ditë drejtuesit e POM, u krijon atyre kushtet për gjallërimin e veprimtarisë pas miratimit të statutit të ri.
Veprat Papnore Misionare e kanë krijuar traditën e tyre në Kishë që në kohët e para të krishterimit. Që kur lindi bashkësia e parë e krishterë, nisi të përdorte mbledhjen e ndihmave, si mjet për të mbështetur vëllezërit në fe. Nga gjysma e tetëqindës katër degët që përfshihen në POM (Veprat Papnore Misionare), vijuan të bëjnë të njëjtën gjë, duke i ndihmuar Kishat e veçanta që të lindin, të rriten e të fuqizohen. Benedikti XVI vuri në dukje fillin e kuq historik që lidh punën misionare të zhvilluar nga Vepra e Propagandës së Fesë, nga Vepra e Shën Pjetrit Apostull, nga Vepra e Fëmijërisë së Shenjtë dhe nga Bashkimi Misionar i Klerit, katër degët e POM (Veprave Papnore Misionare), duke i bërë një institucion të vetëm, nën drejtimin e Papës. Tri degët e para lindën në Francë, e katërta, në Itali.
Duke nënvizuar lidhjen e posaçme të Veprave Papnore Misionare me Selinë e Shën Pjetrit, Benedikti XVI u ndalua posaçërisht tek puna për hartimin e statutit të ri. Më pas përshkroi rëndësinë e shërbimit të ungjillëzimit të kryer nga institucioni papnor: një shërbim – pohoi Benedikti XVI, që i përgjigjet urgjencës baritore të kishave vendase. E gjithë veprimtaria e zhvilluar dhjetvjeçarët e fundit nga të katër degët e POM (Veprave Papnore Misionare) – vërejti Ati i Shenjtë – ka pasur si pasojë rizgjimin e fesë e të dashurisë në zemrën e popullit të krishterë, bashkuar me një dëshirë të madhe për ta shpallur Ungjillin:
“Të dashur miq të Veprave Papnore Misionare, ju falënderoj edhe për gjallërimin misionar ndër famullitë e ndër dioqezet, për lutjen e ndihmën konkrete që i jepni misioneve, gjë që duhet shikuar si pjesë përbërëse e jetës të çdo të krishteri. Ashtu si Kisha e të krishterëve të parë dërgonte në Jeruzalem ndihmat e mbledhura në Maqedoni e në Akajë për të krishterët e kësaj Kishe, kështu edhe sot fryma bashkimit duhet t’i shtyjë besimtarët e të gjitha bashkësive të mendojnë për nevojat e tokave të misionit, gjë që është shenjë e katolicitetit të Kishës”.
Benedikti XVI i ftoi drejtuesit e POM (Veprave Papnore Misionare) të promovojnë nisma me harmoni qellimesh e unitet veprimesh ungjillëzuese. Të dyja – shtoi Ati i Shenjtë, rriten në atë masë, me të cilën çdo veprimtari ka si pikë referimi Zotin, që është Dashuri:“Në këtë mënyrë çdo veprimtari juaja, të dashur miq, nuk do të reduktohet kurrë në aftësi thjeshtë organizative, as nuk do të lidhet me interesa të pjesëshme, të çfarëdo lloji qofshin, por do të zbulojë shfaqjen e Dashurisë Hyjnore. Prejardhja e juaj nga dioqeza të ndryshme e bën edhe më qartë se Veprat Papnore Misionare, ndonëse janë Vepra të Papës, i përkasin edhe gjithë episkoptatit e mbarë popullit të Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.