Në Irak ushtria amerikane
liroi sot 299 të burgosur irakianë pas kërkesës nga ana e Komisionit të përbashkët
të përbërë nga irakianët dhe fuqitë aleate. Gjithashtu, senatorët demokratë amerikanë
sugjeruan që Iraku të kthehet në një konfederatë treshe: kurdët në veri, sunitët në
qendër dhe shiitët në jug. Ndërkaq u bë e ditur se kryeministri Zhavad Al-Maliki arriti
sot një marrëveshje me aleatët për formimin e qeverisë së re.
Kthesë e
papritur në çështjen bërthamore iraniane. Presidenti Ahmedinexhad i shkroi presidentit
amerikan Xhorxh Bush një letër ku kërkohet të gjehet një rrugë e re për të dalë nga
situata delikate dhe e ndërlikuar në të cilën gjendet bota. Letra iu dërgua Uashingtonit
nga ambasada zvicerane në Teheran, e cila mbulon SHBA-ës pas prishjes së marrëdhënieve
diplomatike me Iranin.
Disa përleshje të përgjakshme mes militanëve të
Fatahut dhe Hamasit në Rripin e Gazës shkaktuan tre të vdekur. Viktimat janë dy militantë
të Fatahut dhe një ekstremist. Hamasi, gjithashtu përgënjeshtroi lajmin e botuar nga
gazeta “Sandi Tajms” se ekziston një plan për vrasjen e presidentit Abu Mazen.
Gjatë
mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të PD-së, kryeministri Sali Berisha i bëri
thirrje opozitës që të bashkëpunojë me pozitën. “Ne ftojmë opozitën që të kontrollojë
çdo qelizë të këtij pushteti dhe e garantojmë se do t’i japim asaj çdo dokument të
zyrës së kryeministrit apo të ndonjë zyre tjetër që i nevojitet për të përmbushur
misionin e vet.