2006-05-07 17:17:04

Dje Benedikti XVI kryesoi Meshën solemne në Bazilikën e Shën Pjetrit, kulm i kremtimeve organizuar me rastin e 500-vjetorit të themelimit të Rojes Papnore Zvicerane


( 07. 05. 06 R. V. )“Rojet zvicerane janë model i shërbimit besnik e guximtar në Kishë”: me këto fjalë Papa ua shprehu Rojeve Zvicerane mirënjohjen gjatë Meshës solemne kremtuar dje në Bazilikën e Shën Pjetrit, me rastin e 500-vjetorit të themelimit të trupës ushtarake papnore.
500–vjet në shërbim të papëve, një histori që flet nga breznia në brezni për vlerën njerëzore, për shpirtin e krishterë, për dashurinë shembullore ndaj Krishtit e Kishës së tij. Është historia e Rojeve Zvicerane Papnore, që kremtuan gjatë gjithë javës së kaluar, me një sërë veprimtarish, 500-vjetorin e themelimit. Kulmi i kremtimeve ishte Mesha solemne e kryesuar dje nga Benedikti XVI në bazilikën e Shën Pjetrit, përplot me rojet, familjarët e tyre dhe autoritetet më të larta helvetike. Rreth elterit të katedrës, ku kremtoi Ati i Shenjtë, spikasnin e kuqja, e verdha e bluja e uniformave të paradës që kishin veshur Rojet në këtë festë kaq të jashtëzakonshme e flamujt me kryq të bardhë në fushë të kuqe.
Papa kujtoi dy episodet kryesore që e lidhin Selinë e Shenjtë me Rojen Zvicerane: 22 janarin e vitit 1506, kur 150 burrat e parë zviceranë u vunë në shërbimn të Papës Juli II dhe 6 majin e vitit 1527, ditën e flijimit të 147 Rojeve Zvicerane në mbrojtje të Papës e të Vatikanit, viktima të sulmit e të plaçkitjeve të lanzikenekëve. Tridhjetë vjet më parë Pali VI i shpërndau të gjitha trupat tjera ushtarake papnore, por – tha Benedikti XVI – Rojet Zvicerane mbetën gjithnjë në krye të misionit të tyre, sepse miq të Zotit e njerëz të vënë në shërbim të paqes. Këtë theksoi Ati i Shentjë gjatë homelisë:
“Kush ka njohur në Krishtin, Urtinë e mishëruar e për Të ka lënë gjithçka tjetër, bëhet ‘veprimtar i paqes’ si në bashkësinë e krishterë, ashtu edhe në botë. Fjala e Zotit na jep vizionin e plotë të njeriut në histori: ai që, i mahnitur nga urtia, e kërkon dhe e gjen në Krishtin, lë gjithçka tjetër për të, duke marrë si shkëmbim dhuratën e paçmuar të mbretërisë së Hyjit dhe, i pajisur me vetëpërmbajtje, urtësi, drejtësi e qëndresë – virtyte themelore – jeton në Kishë dëshminë e dashurisë”
E një vizion i tillë i njeriut mund të përbëjë një ideal jete për të gjithë njerëzit e kohëve tona, posaçërisht për të rinjtë. Prandaj mund të themi – nënvizoi Papa - se shembulli i Rojeve zvicerane është dëshmi me vlerë për të gjithë. Pavarësisht nga rruga që ndjekin Rojet pas përfundimit të shërbimit – tha Papa, duke kujtuar se shumë prej tyre mbeten për gjithnjë në Vatikan ose zgjedhin edhe rrugën e meshtarisë...:
“Për të gjithë të jesh Roje Zvicerane do të thotë të vesh tërë vetveten në shërbim të Krishtit e të Kishës, gati për të dhënë për këtë edhe jetën”.  







All the contents on this site are copyrighted ©.